Dëshmitari mohon nënshkrimin në dokumentin ku pacienti jep veshkën
Dëshmitari Flamur Bogaj mohoi se nënshkroi dokumentin ku një pacient deklaroi se vullnetarisht po e jep veshkën.

Flamur Bogaj që tha në gjykatë se është jurist, ndërsa këtë profesion deklaroi se e ushtron që nga viti 2004, dëshmoi në gjykimin e Lutfi Dervishit dhe Sokol Hajdinit për transplantimin e veshkave në Klinikën Medicus.

Bogaj u pyet nga prokurorja nëse ishte pjesë e Komisionit të Etikës së kësaj klinike, ndërsa dëshmitari e mohoi këtë gjë.

Pastaj prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me një dokument, në të cilin para Komisionit të Etikës së “Medicusit” pacienti i kësaj klinike Jusuf Samir kishte deklaruar se vullnetarisht dëshiron ta dhurojë veshkën pa asnjë lloj kompensimi.

Në këtë dokument me stemën e Klinikës “Medicus” ishte edhe nënshkrimi i Flamur Bogajt si anëtar i Komisionit të Etikës, por ai e mohoi se nënshkrimi është i tij.

Prokurorja pastaj e pyeti dëshmitarin se a ka ndikuar kjo që ai t’i ftohë marrëdhëniet me Lutfi Dervishin, por dëshmitari deklaroi se i ka të njëjtat raporte me urologun e akuzuar dhe nuk ka kërkuar sqarim për nënshkrimin nga Lutfi Dervishi.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin se a ka raporte miqësore me Lutfi Dervishin.

Dëshmitari tha se kjo është vështirë të definohet, por e pranoi që kishte raporte miqësore me Dervishin, ndërsa tregoi se pronari i Klinikës “Medicus” kishte kërkuar edhe shërbime ligjore nga ai.

Dëshmitari tha se Lutfi Dervishi kishte shkuar te ai për çështje ligjore, i kishte hartuar disa dokumente si kërkesa si dhe kontratë të shitblerjes.

Dëshmitari tregoi se kontratën e shitblerjes e ka hartuar para 10 vjetësh dhe mund të mos i kujtohen disa gjëra, por tregoi se bëhej fjalë për blerjen e një ndërtese, ndërsa përmendi edhe një mjek gjerman që ishte në zyrën e tij bashkë me Dervishin.

Prokurorja e pyeti pastaj dëshmitarin se pasi kishte hartuar kontratën për blerjen e ndërtesës për Klinikën Medicus, a e dinte cili ishte roli i klinikës.

Dëshmitari mohoi se e dinte rolin e klinikës.

Dëshmitari Flamur Bogaj më tutje tregoi se e kishte trajtuar djalin e tij në Klinikën “Medicus”.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin për sjelljet e Lutfi Dervishit gjatë kohës sa Bogaj po trajtonte djalin në “Medicus”.

“Unë kam pas zor të madh, e kam pas djalin 4 vjeçar dhe ka qenë duke vdekë, nuk më ka interesu sjellja e tij. Edhe sot me pasë nevojë nuk më intereson roli i tij, por më intereson kualiteti dhe besimi ndaj tij, jo pozita e tij”, tha dëshmitari Bogaj.

Ai në fund deklaroi se po të lirohet Lutfi Dervishi, do të shkonte të trajtohej te ai, nëse do të kishte nevojë. Në seancën e sotme ishte paraparë të dëshminte edhe Elbasan Dervishaj, por dëshmia e tij me pëlqim të palëve u konsiderua e lexuar.

Në këtë proces gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim Rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të supremes për rigjykim./Kallxo.com
Shtuar më 18/10/2017, ora 12:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori