Dëshmia tronditëse e shoferit të Bechtel Enkas, punoja 30 orë pa pushim
Driton Asani, i akuzuar për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, ku si pasojë mbetën të vdekur dy persona, sot dha mbrojtjen e vet, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të shteti të mbrojtëses, avokate Ermira Gavazaj – Gashi.

I akuzuari Driton Asani ka dhënë intervistë lidhur me këtë rast.

Në pyetjet e mbrojtëses avokate Ermira Gavazaj – Gashi, i akuzuari Driton Asani deklaroi se ”…ka ndodhur shpesh që të punojmë jashtë orarit të punës, ndërsa ditën kritike kur ka ndodhur aksidenti kam punuar rreth 30 orë pandërprerë”, më tutje i akuzuari shtoi se kompania Bechtel-Enka nuk ia ka siguruar përcjelljen e duhur në ditën kur ka ndodhur aksidenti. Ndërsa tash e tutje mjetet e tilla të transportit vazhdimisht kanë përcjellje nga Policia e Kosovës.

Më tutje Driton Asani deklaroi ”…personi përgjegjës për transportim është një turk me emrin Hamit, i njëjti i ka dhënë urdhrat për transportim”,raporton kallxo.com

Prokurori i Shtetit, Fatos Ajvazi, të akuzuarit Driton Asani i drejtoi pyetje lidhur me përvojën e tij të punës, dhe pyetje tjera që kishin të bënin me veprimet e të akuzuarit në vendin ku ka ndodhur aksidenti dhe pyetja se a ka ndërmarrë veprimet e duhura për të parandaluar çfarëdo rreziku eventual?.

I akuzuari Driton Asani deklaroi se ”…me dokumentacionin që e posedoj për vozitje, më lejohet që të drejtoj automjete të kategorisë së tillë me të cilën ka ndodhur aksidenti”.
Më tutje i akuzuari Driton Asani theksoi se ”Koha kur kemi punuar jashtë orarit të punës, ka qenë pa vullnetin tonë, dhe kemi punuar nën urdhrat e shefit, po të mos i zbatonim këto urdhra na dërgonin në shtëpi, na largonin nga puna”.

Pyetje për të akuzuarin kishin edhe përfaqësuesit e familjes së dëmtuar, respektivisht avokat Ali Kryeziu dhe avokat Xhavat Balaj.

Në pyetjet e avokatëve të lartcekur i akuzuari Driton Asani tha se ”për sa i përket orarit të zgjatur të punës, nuk kemi pasur kartela ku të evidentojmë hyrjen apo daljen në punë, këtë e bëjmë në regjistrat e caktuar me shkrim, dhe se në ditën e aksidentit nuk kemi pasur përcjelljen e duhur për të siguruar transportin”.

Në përfundim të deklaratës së tij i akuzuari Driton Asani ka shtuar se ”Familjarëve iu kërkoi falje për humbjen e të dashurve të tyre, në momentin kur ka ndodhur aksidenti nuk po mund ta shoh të arsyeshme se si përcjellësi im ka qenë jo-vigjilent, dhe i pakujdesshëm, andaj në këtë rast duke pasur parasysh përmasat e mjetit transportues dhe ndihmën jo-adekuate dhe të pakujdesshme të ofruar në këtë rast e ndiej veten edhe si viktimë”.

Në fjalën përfundimtare prokurori i çështjes Fatos Ajvazi deklaroi se ”Gjatë shqyrtimeve gjyqësore dhe administrimit të provave, u vërtetua pa mëdyshje se i akuzuari Driton Asani në këtë rast ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërsa përkundër faktit se eksperti i ka lënë një pjesë të përgjegjësisë edhe te drejtuesi i mjetit të aksidentuar, lëshimet e të ndjerit Adem Elshani, nuk ndikojnë në rastin konkret të përgjegjësisë penale të të akuzuarit”.

Më tutje prokurori shtoi se të dy ekspertizat kanë vërtetuar faktin se shkaktar kryesor për këtë aksident është këtu i akuzuari Driton Asani.

Ndërsa për sa i përket orarit të tejzgjatur të punës prej 30 orësh, prokurori i çështjes theksoi se kjo nuk e përjashton nga përgjegjësia penale të akuzuarin, pasi që të gjitha veprimet inkriminuese ekzistojnë tek i akuzuari, dhe i njëjti ka mundur t`i refuzojë urdhrat për të vazhduar punën në atë gjendje. Pasi që sipas prokurorit është dashur të dijë që ashtu rrezikon veten dhe të tjerët në komunikacion.

Në përfundim të fjalës së vet prokurori shtoi se krahas dënimit kryesor gjykata t'i shqiptojë edhe dënim plotësues dhe t'i merr edhe lejen e vozitjes për periudhë 5 vjeçare, ashtu që i njëjti përsëri t'i nënshtrohet testeve praktike dhe teorike, që në të ardhmen të ketë kujdes të shtuar.

Përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, avokati Ali Kryeziu deklaroi se ”Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit jo vetëm që do t`i siguronte vetes benificione ligjore, por do të ishte një satisfaksion për familjen e viktimës, i cili përkundër kësaj deri në përfundim të seancave gjyqësore, ka pretenduar se nuk është fajtor për këtë aksident ”Gjithashtu pala e dëmtuar ka parashtruar edhe kërkesë pasurore juridike”, tha avokati Kryeziu.

Mbrojtësja e të akuzuarit avokate Ermira Gavazaj – Gashi, në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se “Nuk dëshirojmë dhe as nuk mundemi të mohojmë faktin se një vepër e tillë me pasoja ka ndodhur, por qëllimi ynë ka qenë vërtetimi i disa rrethanave juridike, dhe vendosja me drejtësi si për palën e akuzuar ashtu edhe për palët e dëmtuara, ndërsa i akuzuari shumë herë e ka përsëritur keqardhjen për rastin e ndodhur, por i njëjti ka theksuar se nuk e ka pasur përcjelljen e duhur dhe sigurinë adekuate që është dashur ta ofrojë kompania Bechtel – Enka”.

Më tutje avokatja shtoi se duhet vënë në pah mosveprimin e Prokurorisë Themelore në Prizren. Sipas Gavazaj – Gashi, përkundër obligimeve ligjore që ka pasur Prokuroria në kuptim të ligjit përgjegjës së personave juridik fajtor kryesor do të duhet të ishte kompania Bechtel – Enka si person juridik. Sipas mbrojtëses kompania Bechtel – Enka nuk i ka ofruar dhe as siguruar përcjellje të duhur me polici në ditën kur ka ndodhur aksidenti.

Në përfundim të fjalës së saj mbrojtësja avokate Ermira Gavazaj – Gashi shtoi se ”Gjykata duhet të marrë parasysh shkallën e përgjegjësisë dhe nga të gjitha provat është vërtetuar se nuk është bërë me dashje dhe as me vetëdije”.

Ndërsa, si rrethanë me rëndësi që gjykata duhet të marrë parasysh është orari i tejzgjatur i punës, ora kur ka ndodhur aksidenti, si dhe koha dhe dukshmëria shumë e vogël në atë orar, fakt me rëndësi sipas mbrojtjes është mosofrimi i sigurisë nga ana e kompanisë Bechtel – Enka.

Zëdhënësja e kompanisë Bechtel-Enka, Ela Ruci, nuk është përgjigjur thirrjeve të gazetarit të Kallxo.com rreth pretendimeve të të akuzuarit Driton Asani dhe mbrojtjes së tij se në ditën kritike kompania nuk i kishte ofruar përcjelljen e duhur dhe se kishte 30 orë punë pa ndërprerë.

Gjyqtari Mehmet Ndrecaj caktoi datën 05 nëntor për shpalljen e vendimit përfundimtar të gjykatës.

Sipas aktakuzës së prokurorisë Driton Asani akuzohet se me datë 10.12.2017 rreth orës 04:55 në rrugën Prizren – Gjakovë, pikërisht në fshatin Krushë e Vogël, i akuzuari nga pakujdesia rrezikon trafikun publik, ashtu që duke drejtuar automjetin transportues, kur arrin në vendin kritik, ndërmerr veprim pa u siguruar që mund t'i rrezikojë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, dhe si pasojë e veprimeve të tij vjen deri te goditja e automjetit "VW Golf" me automjetin transportues.

Vetura e godet automjetin transportues në boshtin e rrotave të pasme në anën e majtë, dhe si pasojë drejtuesi i automjetit Adem Elshani si dhe pasagjeri i tij Gazmend Gashi, nga lëndimet e marra trupore ndërrojnë jetë në vendin e ngjarjes.


Shtuar më 02/11/2018, ora 15:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori