Tentuan të futen në uzinën e Gramshit, çfarë u gjet në bagazhin e makinës luksoze të rusëve

Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen e ndodhur në Uzinën e Gramshit, ku 2 shtetas rusë e një ukrainas tentuan të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të uzinës.

Prokuroria pritet të dorëzojë kërkesat për masat e sigurisë ndaj tyre brenda afatit ditën e sotme. Nga ana tjetër, burime bëjnë me dije për abcneës.al se krahas materialeve të tjera, në automjetin e të huajve janë gjetur edhe një palë targa, të dyshuara si të falsifikuara. Targat në fjalë janë gjetur në bagazhin e makinës luksoze, “Chevrolet”, me të cilën ata lëviznin.

Ndërkohë, siç abcneës.al ka raportuar më herët në telefonat e tyre janë gjetur fotografi dhe materiale të tjera të bazave të tjera ushtarake në Shqipëri përveç asaj të Gramshit. Këto materiale i përkasin periudhës së gushtit të këtij viti, teksa për Prokurorinë përforcojnë dyshimet se këta 3 shtetas të jenë pjesë e një rrjeti spiunazhi që dëmtojnë interesat e vendit tonë.

Gjithashtu është mësuar se janë zbërthyer aparatet celulare të 3 shtetasve të huaj ku kanë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme por kryesisht “Telegramit”.

Kujtojmë se të arrestuarit janë 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç dhe një i ri tjetër me pasaportë ukrainase, Fiodor Mihailoviç. Ndaj tyre prokuroria ka ngritur tre akuza, mes të tjerash edhe për spiunazh./albeu.com/


Shtuar 23.08.2022 14:57