Dërgohet në presidencë peticioni për bashkimin e Mitrovicës
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri sot në ora 09:30 do të dorëzojë peticionin për bashkimin e qytetit të Mitrovicës me 16,594 nënshkrime të qytetarëve.

Peticioni dorëzohet tek institucionet e Kosovës, tek Qeveria, Kuvendi, si dhe tek President.

Bahtiri po kërkon nga institucionet përkatëse që të miratojnë këtë nismë të ndërmarrë nga vetë qytetarët e Mitrovicës.

Ndryshe, iniciativa për nënshkrimin e këtij peticioni ka ardhur pasi Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe vendimin e Kuvendit të Mitrovicës për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

I pari që kishte nënshkruar peticionin ishte Agim Bahtiri e pas tij edhe zyrtarët tjerë komunalë. I pari i Mitrovicës kishte thënë se bashkimi i qytetit nuk cenon në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të dalim faqebardhë me këtë peticion e t’i drejtohemi në mënyrë legjitime Kuvendit të Kosovës. Nuk do të ketë parti politike, por do të jemi ne për të gjithë. Peticioni ka nisur sot, e hënë, dhe nëse dikush do të ketë hamendje që nuk do të realizohet, gabon, sepse do të realizohet. I lus qytetarët e Mitrovicës që t’i dalin zot vendit të vet dhe në ditën e sotme t’i përgjigjen vullnetarisht dhe masovisht iniciativës sime”, kishte thënë Bahtiri.
Shtuar më 16/01/2019, ora 09:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori