Deputetët e Kosovës kundër rritjes së pagave të tyre
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ndër zyrtarët më të paguar shtetëror, pasi marrin pagë mujore prej 1488 euro në muaj dhe shtesa për pjesëmarrje në seanca dhe komisione parlamentare.

Në bazë të projektligjit të ri për pagat, të cilin e ka miratuar nga Qeveria e Kosovës, në nenin 19, flitet për kompensimin e pagave, është shtuar një pikë ku propozohet "të rriten kompensimet për pjesëmarrje në seancë dhe komisione parlamentare për deputetët, deri në 20 për qind të koeficientit të pagës bazë".

"Veriu.info" ka kërkuar përgjigje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për t'i deklaruar se a janë për rritjen e pagave dhe mëditjeve, ku shumica e atyre që janë deklaruar qartazi e kanë shprehur qëndrimin e tyre se janë kundër.

Deputeti i PDK-së, Agim Aliu ka thënë se nuk është aspak e nevojshme ngritja e pagave dhe mëditjeve të deputetëve, por as e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit.

"Më shumë se sa pagat dhe mëditjet ka nevojë që të krijohen kushte të punës për deputetët, në mënyrë që puna e tyre të jetë më cilësore dhe më efektive në drejtim të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive që kanë deputetët.

Konsideroj se më shumë se sa ngritja e pagave në të gjitha nivelet e sektorit publik nga niveli më i ulët e deri te niveli më i lartë i zyrtarëve publik, ka nevojë të shtrohet debati se sa janë të merituara këto paga aktuale për këta zyrtarë.

Meritimi i pagës është çështje sot, përgjegjësia në punë është çështje sot dhe çështje të ngjashme, e jo ngritja e pagave", ka thënë deputeti Aliu.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi është shprehur kategorikisht kundër rritjes së pagave dhe mëditjeve për deputetët e Kuvendit të Kosovës, madje ai ka thënë se mëditje për seanca dhe mbledhje nuk duhet të ketë fare, pasi që deputetët marrin rrogë.

"Jo, rrogat e deputetëve nuk duhet të rriten. Mëditje për seanca dhe mbledhje të komisioneve nuk duhet të ketë fare pasi që deputetët marrin rrogë për seanca dhe mbledhje të komisioneve. Ajo që duhet ta rrisim ne deputetët është përgjegjësia në punë", ka thënë deputeti Kurteshi.

Kundër mosrritjes së pagave dhe meditjeve, për shkak se konsideron që janë të mjaftueshme, është deklaruar edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

"Pagat dhe mëditjet për deputetë janë të mira dhe të mjaftueshme, andaj nuk ka nevojë që ato të rriten", ka theksuar deputeti Bekim Haxhiu.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se pagat janë në kundërshtim me gjendjen socio-ekonomike, pasi që 45% e qytetarëve janë të papunë dhe 18 % e tyre jetojnë në varfëri ekstreme, prandaj sipas saj ato nuk duhet të rriten.

"Lëvizja Vetëvendosje, gjithnjë ka qenë kundër pagave të mëdha për deputetet e Kuvendit, paga që janë në kundërshtim me gjendjen socio ekonomike në vend.

Për ne si subjekt politik, rritja e pagave, do të ishte e papranueshme dhe nëse do të ketë tendencë të tillë natyrisht që do ta kundërshtojmë.

Në një vend ku qytetarët jetojnë në varfëri e mjerim, ku 45% e qytetarëve janë të papunë, ku 18 % e tyre jetojnë në varfëri ekstreme, ku ndihmat sociale e pensionet nuk mbulojnë as nevojat jetike, është e dhimbshme që deputetet të rrisin pagat e tyre", ka thënë deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, nuk ka dashur ta komentoj rritjen e pagave dhe mëditjeve.

"Sa i përket ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë, akoma nuk ka ardhë në Kuvend, pa e lexu ligjin nuk kam koment", është shprehur deputeti Gashi.

"Së pari kjo pyetje s’do të duhej të shtrohej në këtë kontekst, kur kaluam një periudhë me një linçim të pozitës së deputetit, duke u thirrur në rritje të pagave e mëditjeve në një formë të pavërtetë! Unë jam kryetare e komisionit funksional ku duhet të vijë një ligj i tillë dhe ky ligj as që ka ardh në kuvend!

Pra, s’ka asnjë propozim të tillë askund për rritje dhe opinioni duhet të qetësohet në këtë drejtim!", ka thënë deputetja Xhevahire Izmaku. /albeu.com/
Shtuar më 07/02/2017, ora 12:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori