Deputetja Dërguti citon Ivanoviçin: Jemi të rrezikuar jo nga shqiptarët por nga këta banditë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka mbajtur një fjalim para këshillit të Evropës në lidhje me veprimtarinë e Ivanoviçit kundër shqiptarëve gjatë kohës së luftës. Ajo ka thënë se për shkak të ndërhyrjeve të Serbisë situata në veri tensionohet.

Të dashur miq,

Sot në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, në rend të ditës ishte dhe situata në Kosovë, me theks të veçantë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Po e ndaj me ju fjalimin tim, të mbajtur sot.

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur kolegë,

Javën e kaluar në Kosovë ndodhi një ngjarje që tërhoqi vëmendjen e mediave vendore dhe ndërkombëtare. Vrasja e Oliver Ivanoviqit, liderit politik të serbëve të Kosovës tronditi gjithë opinionin. Të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare dënuan këtë akt kriminal dhe kërkuan që sa më shpejt të bëhen hetimet lidhur me rastin. Bile Policia e Kosovës ofroi një shpërblim prej 10.000 euro për çfarëdolloj informacioni të rëndësishëm lidhur me rastin. Pak orë pas ngjarjes, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic deklaroi se vrasja e Oliver Ivanoviqit është akt terrorist. Deklaratat e tilla politike, paragjykuese dhe të pamatura janë ndërhyrje në drejtësi dhe rrisin pasigurinë e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është jostabile pikërisht për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme nga Serbia. Gjatë bisedimeve të Brukselit, Kosova ka arritur 2 marrëveshje në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë, me qëllim të integrimit të serbëve në pjesën veriore të Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes së parë të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, të arritur me 19 prill 2013, strukturat paralele të Serbisë pa asnjë verifikim për të kaluarën e tyre kriminale u integruan në Policinë e Kosovës, respektivisht në stacionin policor për pjesën veriore të Mitrovicës. Poashtu, kjo marrëveshje përcakton që komandanti i policisë për këtë pjesë të jetë serb.

Marrëveshja për drejtësi mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në shkurt të vitit 2015, përcakton qartë se në Gjykatën Themelore, në Prokurorinë Themelore dhe në Gjykatën e Apelit për regjionin e Mitrovicës shumica e të punësuarve si gjykatës e prokurorë do të jenë serbë.

Meqenëse në sistemin e drejtësisë janë përfshirë qytetarët serbë të Kosovës, të cilët përbëjnë shumicën në këto institucione, kërkesa e Serbisë për hetime të drejtpërdrejta përbën cenim të sovranitetit dhe si e tillë është e papranueshme.

Shqiptarët e Kosovës asnjëherë nuk kanë tentuar ta vrasin Oliver Ivanoviqit edhepse e kanë njohur mirë.

Oliver Ivanoviqi gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë i angazhuar aktivisht si epror i policisë rezervë të Serbisë. Menjëherë pas përfundimit të luftës, ka udhëhequr operacionin e spastrimit etnik gjatë natës së 3-4 shkurtit 2000, kur në praninë forcave të NATO-s, respektivisht kontigjentit francez të KFOR-it, nga pjesa veriore të Mitrovicës u dëbuan me dhunë 11.000 shqiptarë, me ç’rast u vranë 11 shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmijë.

Sidoqoftë, z. Ivanoviq pas kësaj ngjarje, vazhdoi angazhimin politik edhe në institucionet e Kosovës duke u bërë përfaqësues i tyre. Në vitin 2001, ai fitoi edhe mandatin e deputetit në legjislaturën e parë pas luftës. Përgjatë gjithë këtyre viteve të angazhimit të tij, ai ka lëvizur lirshëm në gjithë territorin e Kosovës dhe asnjëherë nuk është cënuar siguria e tij nga shqiptarët.

Për ata që nuk e dinë, është e rëndësishme të përmendet se para disa vitesh gjyqtarët e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë të ashtuquajtur EULEX, kanë ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj z. Oliver Ivanoviq. Aktakuza ndaj Ivanoviqit dhe 4 të tjerë të akuzuarve ka të bëjë me veprat penale që janë kryer në prill të vitit 1999 (gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s) dhe për ngjarjet e shkurtit të vitit 2000. Sipas aktakuzës, në kohë të luftës Oliver Ivanoviqi ka dhënë urdhëra ku janë ekzekutuar gjithsej 31 shqiptarë. Ndërkaq për akuzat lidhur me veprat e kryera në vitin 2000 e ngarkojnë se ka udhëhequr grupacionin paralimilitar "Rojet e urës". Gjykimi është mbajtur pranë

Gjykatës Themelore në Mitrovicë nga gjyqtarët e EULEX-it. Shkalla e parë e ka dënuar Oliverin me dënim 9 vite burgim. Pas nxjerrjes së vendimit të shkallës së dytë, në bazë të ankesës, rasti është kthyer në rigjykim, ndërkaq ai është lënë që të mbrohet në liri.

Gjatë kësaj kohe është angazhuar në politikë, duke garuar në zgjedhjet locale për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore.
Dhe për fund po ua sjell një deklaratë të shkëputur nga intervista e Oliver Ivanoviqit për gazetën Vreme (shih linkun: http://www.vreme.com/cms/view.php?id=1533026) të publikuar më 28 shtator 2017, ku flet për situatën e sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ju lutem, më lejoni të ju citoj pyetjen e gazetarit dhe përgjigjen e z. Ivanoviq.

VREME: Kur më në fund pas 3 vitesh e gjysmë dolët në liri, a keni vërejtur se ka ndryshuar diçka në veri të Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ: Po, situate është përkeqësuar. Është e pabesueshme ndjenja e frikës dhe rrezikut të populli. Prej qindra njerëzve me të cilët kam folur në javët e para pas daljes nga burgu, nuk ka asnjë që nuk e ka përmendur çështjen e sigurisë. Që të sqarohemi: ata njerëz nuk frikësohen nga shqiptarët po nga serbët, kapadainjtë lokalë dhe kriminelëve që voziten me xhipa pa tabela regjistrimi. Droga shitet në çdo qoshe dhe prindërit janë të tmerruar. Ka patur gjëra të ngjashme edhe më herët por jo në këtë masë dhe ata njerëz nuk kanë vepruar lirshëm si tani.

Policia I sheh të gjitha por nuk reagon, prandaj qyetetarët ndjehen të pambrojtur, edhepse në Policinë e Kosovës janë të gjithë njerëzit tanë serbë. Disa prej tyre janë policë me përvojë të cilët më herët kanë punuar për MUP e Serbisë, por tani nuk veprojnë asgjë.

Sa për ilustrim, gjatë këtyre viteve të fundit, kemi patur mbi 50 vetura të djegura, hedhje të granatave të dorës dhe dy vrasje të pasqaruara. Gjithçka ndodh në një hapësirë prej 2.5 kilometra, e cila është tërësisht e mbuluar me kamera. Është e qartë se policia frikësohet prej kriminelëve ose këta kriminelë janë të lidhur me strukturat e sigurisë.
Shtuar më 24/01/2018, ora 15:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori