Morën “Benz-in” me qira në Zvicër dhe e sollën në Shqipëri ta shisnin, arrestohet 53-vjeçari laçjan, nën hetim dy bashkëpunëtorët

Policia e Tiranës ka arrestuar një 53-vjeçar, banues në Laç si dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit D. Ll., 35 vjeç, banues në Mamurras, dhe A. K., 40 vjeç, banues në Laç.

Në kërkim është shpallur shtetasi H. B., 25 vjeç, banues në Rumani.

Policia bën me dije se nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi H. B., ka marrë me qira një automjet tip “Benz”, në Zvicër, të cilin më pas në bashkëpunim me shtetasin K. Ç. (C)., e kanë trafikuar në Shqipëri.

Të katër shtetasit më pas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr automjetit, pajisjen GPS, me qëllim shitjen e tij.

Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar automjetin e dyshuar në Mamurras, së bashku me shtetasit A. K., dhe D. Ll., të cilët gjatë ndërhyrjes, kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Vijon puna për kapjen e shtetasit H. B., si dhe të personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 13.08.2023 13:42