Presidenti Zelensky paralajmëron sulme të reja ruse ndaj infrastrukturës së energjisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë ukrainasve që të përgatiten për sulme të tjera të mundshme ruse mbi infrastrukturën e energjisë, teksa kryetari i Kievit u ka thënë banorëve të kryeqytetit të Ukrainës që ta shqyrtojnë largimin e përkohshëm nëse qyteti humb furnizimet me rrymë dhe ujë. Gjatë adresimit në orët e vona të 6 nëntorit, Zelensky tha se Rusia po “përqendron trupat dhe mjetet e saj për sulme të reja masive ndaj infrastrukturës sonë. Pikë së pari ndaj energjisë”.

Mbi 4.5 milionë konsumatorë veçse kanë mbetur pa energji, shtoi ai, mes shqetësimeve se mbështetja për Ukrainën mund të zbehet pasi ndikimi i luftës në çmimet e energjisë dhe ushqimit vazhdon edhe gjatë dimrit. Më herët, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se nuk mund të përjashtojë mundësinë që kryeqyteti ukrainas të mbesë pa ujë dhe energji si rezultat i sulmeve shkatërruese ruse ndaj infrastrukturës së energjisë.

Gjatë muajit të kaluar, ushtria ruse ka shënjestruar infrastrukturën e energjisë ukrainase, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në vend. Më 6 nëntor, në Kiev ka pasur reduktime të energjisë. Kievi planifikon që të dislokojë afër 1.000 qendra ngrohëse, por është e paqartë nëse do të jenë të mjaftueshme për 3 milionë banorët e qytetit. Reduktime të energjisë po ashtu janë planifikuar në rajonet e Çernihivit, Çerkesit, Zhitomirit, Sumit, Harkivit dhe Potlavës, ka thënë operatori i energjisë në Ukrainë, Ukrenergo.

Këshilltari presidencial, Mykhaylo Podolyak, ka thënë se Ukraina do të “qëndrojë” pavarësisht sulmeve ruse ndaj infrastrukturës së energjisë, duke forcuar mbrojtjen ajrore, duke mbrojtur infrastrukturën dhe duke reduktuar furnizimin me energji.


Shtuar 7.11.2022 08:36