Deputeti serb: PAN-i nuk i ka të sigurta as votat e Listës Serbe
Teksa po ofrohet mbajtja e seancës konstituive të KuvenditKosovës, koalicioni PAN nuk i ka të sigurta as votat e deputetëve të Listës Serbe.

Këtë të paktën e ka thënë vet deputeti serb, Sasha Millosavljevic të mërkurën, kur bashkë me kolegët e tij, u regjistruan si deputetë të legjislaturës së gjashtë të KuvenditKosovës.

Milosavljevic, tha se ende nuk kanë marrë qëndrim nëse do ta votojnë kandidatin e PAN-it për kryetar Kuvendi e as për Qeverinë e Haradinajt.

Madje theksoi se deri me tani nuk kanë diskutuar me askënd nga PAN-i, derisa, e quajti të natyrshëm rolin e Beogradit për përcaktimin e tyre politik.

“Këto ditë do të mbajmë takime ku do ta bëjmë të ditur qëndrimin tonë nëse do të votojmë për kryeparlamentarin dhe pastaj për formimin e qeverisë. Kur të vjen koha ne do të parashtrojmë kushtet tona dhe varësisht nga kjo do të arrijmë marrëveshje”, tha Millosavljevic.

Por, në anën tjetër ndryshe ka thënë zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili theksoi se ka pasur takime javët e fundit nga Haradinaj e Veseli me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Numri dy i PDK-së është shprehur i bindur se i kanë votat dhe me 3 gusht do ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit. /albeu.com/


Shtuar më 27/07/2017, ora 16:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori