Deputeti serb: Do të votoj pro Demarkacionit
Për dallim prej përfaqësuesve të Listës Serbe, Sllobodan Petroviç, deputet i SLS-së (partisë liberale), edhe njëherë ka bërë të ditur se do ta votojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Petroviç ka thënë se miratimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi është në të mirë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar për këtë çështje, kështu që ne do të jemi në mbledhje kur ajo të mbahet, kjo nuk varet nga unë. Por, kur të mbahet mbledhja për demarkacionin unë do të jem prezent dhe do të votoj ‘për’”, ka nënvizuar Petroviq.

Kjo, pasi që siç ka vlerësuar ai, ratifikimi i marrëveshjes së Vjenës ua mundëson qytetarëve liberalizimin e vizave.

Lidhur me mbështetjen ndaj marrëveshjes në fjalë, Petroviç ka thënë se nuk kanë vendosur asnjë kushtëzim në drejtim të partnerëve të koalicionit.

“Në asnjë mënyrë nuk kemi kushtëzuar askënd për votën tonë, sepse jemi të përkushtuar të votojmë pasi që kjo është në interesin e të gjithë njerëzve që jetojnë në këto hapësira dhe besoj që te shumica e deputetëve do të mbretërojë para së gjithash përgjegjësia ndaj njerëzve tanë dhe që në mbledhjen e ardhshme të ketë vota të mjaftueshme në mënyrë që të mbyllet kjo çështje”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, sa i përket qëndrimit të Listës Serbe karshi kësaj marrëveshjeje, Petroviç ka thënë se nuk ka ndonjë informacion, pos atyre që janë shpërfaqur në media.

“Unë nuk kam njohuri për aktivitetin e tyre, por përmes mediave kam mësuar se kishte njëfarë takimi në mes të Listës Serbe dhe kryeministrit, respektivisht bartësve të institucioneve. Domethënë, nuk kam njohuri rreth diçkaje që mund t’ju them përveç asaj që kam lexuar në shtyp”, ka theksuar ai. /albeu.com/
Shtuar më 06/03/2018, ora 18:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori