Deputeti i Vetëvendosjes: Të kërkojmë vota te pozita për ta rrëzuar Haradinajn
Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, në një bisedë për Gazetën Express thotë se votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme për ta çuar Ramush Haradinajn në shtëpi. Prandaj, siç u shpreh ai, fokusi duhet të jetë edhe te votat e tjera brenda koalicionit.

"Subjektet politike opozitare vetvetiu i kanë të deponuara votat e tyre për me rrëzu qeverinë, duke qenë se nuk janë të mjaftuershme atëherë fokusi duhet të jetë te votat tjera brenda koalicionit eventualisht. Vetëvendosjes nuk i ka munguar gatishmëria asnjëherë e as votat për të shkuar drejt zgjedhjeve", tha Selimi.

Këto komente Selimi i ka bërë pasi Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se janë duke punuar në sigurimin e votave për mocionin e mosbesimit.

Ashtu siç ia rrëzuan Qeverinë në vitin 2017, tani, me të njejtën monedhë, Isa Mustafa, po pretendon t’ia kthejë koalicionit të madh qeverisës PAN-it. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme tha se janë duke punuar në sigurimin e votave për mocionin e mosbesimit. Ai u bëri thirrje VV-së dhe PSD-së për të filluar mbledhjen e nënshkrimeve.

Rexhep Selimi ka thënë se VV-së nuk i mungon gatishmëria për të shkuar në zgjedhje të reja.

"LDK e din përgjigjen e Vetëvendosjes, ne cilindo rast VV është e gatshme", ka thënë Selimi.

Shtoi se problemi qëndron nëse opozita e do ose jo rrëzimin e Qeverisë me votat e Listës Serbe.

"Nuk është problemi te votat e VV-së, as të LDK-së, e ndoshta as të PSD- së në të njëjtën kohë asnjëra nga këto tre parti së paku publikisht nuk shprehet ta rrëzojë Qeverinë përmes Listës Serbe apo në bashkëpunim me Listën Serbe", tha Selimi.

Përsëriti edhe njëherë se fokusi për rrëzimin e qeverisë duhet të jetë te sigurimi i votave nga mazhoranca.

"Në rast mocioni nuk mund të ja mohojmë askujt se si do të votojnë, fokusi jonë duhet të jetë të marrim vota nga mazhoranca për rrëzimin e qeverisë", përfundoi Selimi.

Ndërkohë, Lista Serbe u ka ofruar bashkëpunim partive opozitare për rrëzimin e qeverisë "Haradinaj". Kjo mbështetje ka ardhur pas vendimit të ekzekutivit për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.
Shtuar më 18/05/2019, ora 16:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori