Deputeti i PDK-së nxjerr sekretin, nuk i kemi votat për Demarkacion
Pëlqej
Një ditë para seancës për Demarkacionin koalicioni qeverisës është në kërkim të votës së 80-të, e cila do të mundësonte ratifikimin e marrëveshjes së vitit 2015

Pushtetarët shprehen të bindur se deri të martën do të sigurohet edhe një votë.

Ndonëse vazhdimi i seancës për ratifikimin e Demarkacionit është thirrur për të martën, koalicioni qeverisës ende nuk e ka siguruar votën e 80-të, e cila do ta përmbyllte Marrëveshjen e Vjenës. Përfaqësuesit e koalicionit kanë pohuar se deri më tash kanë siguruar vetëm 79 vota, megjithatë janë shprehur optimistë se deri nesër do të sigurohet edhe vota e 80-të. Mirëpo, ata kanë lënë të hapur mundësinë që seanca të mos përfundojë të martën, për shkak të debatit të gjatë që pritet të zhvillohet.

Në të kundërtën, po qe se debati përfundon në seancën e 20 marsit nga koalicioni kanë bërë të ditur se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi do të hidhet në votim po atë ditë. Në anën tjetër, përderisa përfaqësuesit e LDK-së janë deklaruar në mbështetje të Demarkacionit, ata të lëvizjes “Vetëvendosje” kanë kërkuar që kjo marrëveshje të tërhiqet përfundimisht. Ndërkohë, analistët politikë vlerësojnë se as në seancën e ditës së nesërme Marrëveshja për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi nuk do të marrë epilog.

Reçica: Nuk e kemi siguruar votën e fundit

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, është shprehur optimist se të martën do të miratohet Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, në qoftë se përfundon debati, kjo pasi në seancën e së martës pritet të ketë një debat mjaft të gjatë. “Unë po besoj që të martën pasi të kryhet debati, nëse arrijmë ta kryejmë të martën pasi veç fillon pasdite dhe është çështje e ndjeshme, ka shumë të interesuar, besoj që do të hidhet në votim”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Megjithatë, Reçica ka pranuar se koalicioni qeverisës ende nuk e ka siguruar votën e fundit, e cila do ta përmbyllte Marrëveshjen e Vjenës.

“E dini që i kemi 79 vota të sigurta, përpjekja është për ta siguruar edhe një votë. Janë të angazhuar të gjithë liderët politikë, por edhe ne si deputetë individualisht që të binden deputetët ta votojnë Demarkacionin. Unë po shpresoj që të martën pas një debati të gjatë dhe goxha rraskapitës do të votohet Demarkacioni”, ka theksuar ai.


Shtuar më 19/03/2018, ora 08:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori