Deputeti i LDK-së merr pjesë në protestën e VV-së, thotë se nuk është me asnjë parti
Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën e organizuar nga Vetëvendosje të shtunën më 29 shtator. Përkundër vendimit të partisë së tij për të mos protestuar, Avdyli ka vendosur që të shtunën të dalë në rrugë për ta kundërshtuar presidentin Hashim Thaci.

Avdyli në Facebook ka shkruar se që nga viti 1998, kur ishte në moshën 26-vjeçare, ishte në dilemë se a duhej të qëndronte në shtëpinë e tij sado pak i sigurt, apo të dilte në luftë, ai thotë se kishte vendosur të merrte rrugën e vështirë, atë të luftës, siç thotë ai, duke prishur rehatinë e tij personale, për një qëllim më të madh, siç ishte lufta për liri.

Ndërsa edhe së fundmi Avdyli kishte një dilemë për pjesëmarrje apo jo në protestën e së shtunës që organizohet nga Lëvizja Vetëvendosje, por tashmë ai i ka dhënë fund dilemës së tij dhe ka vendosur të marrë pjesë.

“...Unë vendosa. Që të shtunën nga ora 14 deri 16, ta zhveshi petkun e neurokirurgut, mësimdhënësit, veteranit por edhe kryetarit të degës së LDK-së e deputetit dhe të jem vetëm një qytetarë më shumë në Protestën e së shtunës. Aty do jem vetëm për Kosovën unike e të pandarë...”, shkruan Avdyli

Ai thotë se këtë vendim e ka marrë vetëm për të kundërshtuar Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, siç e quan ai, vizatuesit të dështuar të hartave të copëtimit të Kosovës.

“Aty ato 2 orë s’do jem me asnjë parti as lëvizje por me qytetarin e revoltuar nga abuzimi i pushtetarëve jo legjitim që po luajnë me fatin e këtij vendi sikur ky vend është jetim ku ska burra e gra që i dalin zot këtij vendi. Aty jam për të treguar se jemi të rritur të gjithë sa për ti mos besuar përrallave të gjyshes politike si Hashim Thaqi për babadimrin Vuçiç i cili do nxjerrë nga thesi i tij njohjen e pavarësisë me këta kufinj dhe plus faljen luginës së Preshevës”, thekson Avdyli.


\
Shtuar më 27/09/2018, ora 16:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori