Deputetët Zafir Berisha dhe Besa Gaxherri akuzojnë Hashim Thaçin
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi duhet t’i japë sqarim opinionit publik lidhur me kritikat e vazhdueshme që ai po i adreson ndaj Bashkimit Evropian.

I pari i shtetit në një intervistë për revistën e njohur franceze “Politique internationale”, ka kritikuar Brukselin për mos unitet sa i përket çështjes së Kosovës.

“Unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të miratojë një qasje të unifikuar politike për Kosovën. Si mund të shpresojë Evropa të flasë me një zë për çështje më të rëndësishme si Rusia apo Siria, nëse nuk mund të bien dakord për Kosovën e vogël”, i ka thënë Thaçi mediumit francez.

Por, kjo deklaratë po konsiderohet kontradiktore nga ana e deputetëve dhe analistëve në vend, pasi që sipas tyre, deri më tani prioriteti kryesor i presidentit ka qenë dialogu me Serbinë dhe veprimet tjera në funksion të synimeve të BE-së.

Gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Zyrës së Presidencës për të mësuar arsyen e kritikave që i pari i vendit po i bën kohëve të fundit ndaj zyrtarëve të Brukselit, por askush nuk është përgjigjur.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri i konsideron si të dyshimta kritikat e kreut të shtetit ndaj Bashkimit Evropian.

“Deklarimet kohës së fundit të presidentit aktual Thaçi ndaj zyrtarëve të BE-së, janë shumë të çuditshme dhe shumë të dyshimta, dhe për këtë ai duhet t’i jap sqarim opinionit publik se a po i bën këto kritika për arsyeje personale apo për marrëveshjet e dëmshme që i ka nënshkruar me Serbinë në Bruksel”, thotë Gaxherri.

Sa i përket bisedimeve me Serbinë, Gaxherri thotë se është presidenti që i ka nënshkruar gati të gjitha marrëveshjet në Bruksel.

Sipas saj, presidenti duhet të tregoj se a ka probleme personale më ndonjë zyrtarë në Bruksel.

“Po e përsërisë se sot të gjithë qytetarët e këtij vendi janë befasuar me kritikat e tij ndaj Bashkimit Evropianë, bash në këtë moment dhe kjo mua me jep të drejtë të dyshojë pse po bëhen bash tash. A po bëhen realisht se ai ka ndonjë problem personal me BE-në, apo vërtet ky ka gabuar dhe ka bërë kompromise të dëmshme dhe të panevojshme kur nuk është dashur. Kësaj pyetje duhet t’i jap përgjigje zotëri Thaçi”, thotë më tej Gaxherri.

Ajo shtoi, se tash është shumë vonë në qoftë se Thaçi del e thotë se BE-ja është e padrejtë karshi Kosovës.

Një mendim të njëjtë me Gaxherrin ka edhe deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha.

“Hashim Thaçi është personi që i ka bërë dëm më së shumti shtetit përmes marrëveshjeve që i ka bërë me Serbinë në dëm të Kosovës”, thotë Berisha për “Bota sot”.

Berisha fajëson të parin e Kosovës edhe për marrëveshjen e demarkacionit.

“Edhe marrëveshja e demarkacionit është nënshkruar nga ai që është e gabueshme, dhe ende ka qëndrim se kjo marrëveshje është në rregull, nga ana tjetër del e kritikon BE-në se nuk po e trajtojnë mirë Kosovën”, shtoi Berisha.


Shtuar më 13/12/2017, ora 11:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori