Demolli: Nuk do të hetohen vetëm pretendimet e Dick Marty
Ish-ministri i Drejtësisë Haki Demolli, është shprehur se Gjykata Speciale nuk do të merret vetëm me hetimin e pretendimeve të senatorit zviceran Dick Marty, por edhe me çështje të tjera. Ai ka thënë se gjithçka rreth kompetencave të kësaj gjykate do të dihet vetëm kur të përpilohet statuti i saj.

“Bazuar në të gjitha zhvillimet që kanë qenë, Kuvendi i Kosovës ka vepruar drejt dhe në mënyrë të mirë. Besojmë se gjykata nuk do të merret vetëm me ndjekjen e individëve që janë theksuar në raportin e Dick Martyt. Kjo gjykatë do të merret edhe me hetimin dhe shqyrtimin e rasteve të tjera të cilat kanë të bëjnë me prejardhjen e pasluftës. Me qartë do të dimë vetëm kur të hartohet statuti i kësaj gjykate, ku do të parashihen kompetencat e saj”, ka deklaruar deputeti i LDK-së Haki Demolli për “Epokën e re”.

Duke folur rreth deklaratës së ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, e cila ka thënë se nuk ka pasur nevojë për themelimin e një Gjykate Speciale, Demolli e ka vlerësuar si qëndrim personal të saj.

Demolli është shprehur se vlerësimet e Carla Del Ponte se nuk ka nevojë për krijimin e një gjykate speciale, janë jashtë rrjedhave aktuale ndërkombëtare.

“Qëndrimi i saj mund të jetë personal, i cili mund të themi se nuk është në vijë me zhvillimet e përgjithshme ndërkombëtare, respektivisht me kërkesat ndërkombëtare. Ne e pamë se vendimi për themelimin e gjykatës u përkrah dhe u përshëndet nga SHBA-ja dhe BE-ja. E tash del ajo me një deklaratë, e cila është jashtë rrjedhave të përgjithshme të zhvillimeve ndërkombëtare”, ka thënë Demolli.

Deputeti i LDK-së ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës ka vepruar mirë në seancën e së mërkurës, duke thënë se ky institucion ka aprovuar letërkëmbimin të cilin e ka pasur presidentja Jahjaga me Ashtonin. Sipas tij, presidentja paraprakisht e kishte diskutuar për këtë çështje me BE-në dhe SHBA-në.

“Bazuar në këto kontakte dhe në raportin e Dick Martyt si dhe në hetimet të cilat janë zhvilluar nga prokurori Wiliamson, rezultatet e të cilit do të publikohen brenda dy muajsh, i është propozuar kuvendit të aprovohet një shkresë për themelimin e një Gjykate Speciale”, ka deklaruar Demolli. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2014, ora 15:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori