Demolli: Kosova s’ka fuqi të refuzojë Tribunalin
Ish-ministri i Drejtësisë Haki Demolli, është shprehur se institucionet e Kosovës nuk kanë fuqi për ta refuzuar tribunalin që do të krijohet për të gjykuar krimet e pretenduara të luftës në Kosovë.

“Nuk besoj se Kosova ka fuqi për ta refuzuar këtë institucion”, ka thënë Demolli në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se nëse sistemi i drejtësisë do të ishte më efikas në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar atëherë sigurisht që bashkësia ndërkombëtare do t’i besonte Kosovës që të gjykonte edhe krimet e pretenduara të luftës.

“Ka raste në praktikën ndërkombëtare, siç është Sierra Leone, ku është themeluar një tribunal i tillë, i cili ka tri seli, në Freetoën, Hagë dhe Nju Jork. Prandaj mund të ketë një praktikë të tillë, që selia të jetë në tre vende apo diku jashtë Kosovës”, ka thënë Demolli, dhe ka shtuar se nuk pret që ky tribunal të funksionalizohet brenda këtij viti.

“Nuk pres që ky institucion ose ky tribunal të funksionalizohet në këtë vit, por sigurisht pas një periudhe një ose dy vjeçare. Nuk besoj se do të godasë partitë politike, por individët e caktuar po”, shprehet Demolli.

Demolli është shprehur se imazhin e Kosovës e kanë dëmtuar politikanët.

“Imazhin e Kosovës e ka dëmtuar politika jonë dhe politikanët tanë të cilët janë mbi ligjin. Ata fare nuk e njohin sistemin gjyqësor, aq më pak ligjin. Një numër i tyre brenda natës janë bërë milionerë, ndonëse të ardhurat e tyre personale nuk mund ta arsyetojnë një rritje të tillë”, është shprehur ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e LDK-së, Haki Demolli.

Jetëgjatësia e Tribunalit që do të gjykojë krimet që supozohet të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pritet të jetë të paktën pesë vjeçar. /albeu.com/
Shtuar më 08/04/2014, ora 11:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori