Demarkacioni, Kadaj-Bujupi paralajmëron tensione në Kuvend
Deputetja e Vetëvendosjes Donika Kadaj-Bujupi, ka paralajmëruar se në Kosovë do të ketë tensione nëse Demarkacioni kalon në Kuvend.

"Ju e patë se janë tre anëtarë të këtij Komisioni që e kundërshtuan këtë marrëveshje. Rrjedhimisht rezistenca jonë do të vazhdojë, rezistenca jonë do të jetë edhe më e organizuar edhe më e fuqishme, që kjo çështje të mos kalojë në Kuvendin e Kosovës", ka thënë Kadaj-Bujupi në "Ballë për Ballë".

"Bashkë me qytetarët do të vazhdojmë tutje që pavarësisht se çfarë ata nënshkruajnë nuk kanë të drejt të nënshkruajnë marrëveshje kapitulluese për vendin", ka thënë deputetja.

Kadaj-Bujupi, ka folur edhe për atë se si do të veprojnë nëse Demarkacioni shkon të enjten në Kuvend.

"Nuk besoj se do të ishte veprim i matur nëse përpiqen që këtë variant tashmë të konfirmuar si të gabuar ta sjellin në Kuvend, sepse kjo do të risjellë tensione të reja dhe rezistencë më të fuqishme. Nuk do të flas se si do të rezistojmë do të shihet.

Ne jemi kundër këtij versioni të gabuar dhe të dëmshëm që na e dëmton territorin. Përgjigja jonë do të jetë e fuqishme edhe jashtë edhe brenda Kuvendit, ne do të jemi me popullin.

Demarkacioni nuk kalon – për çfarëdo shantazhi për blerje ose shitje të votave do të ketë pasoja", ka përfnduar Kadaj-Bujupi.

Shtuar më 22/02/2017, ora 08:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori