Dell: Të ashtuquajturit intelektualë e kanë gabim
Christopher Dell
Për fusnotën dhe kompromisin eventual mes Kosovës e Serbisë lidhur me mënyrën se si do të prezentohet Kosova në forumet rajonale, Dell thotë që " shumë të ashtuquajtur intelektualë dhe analistë mendojnë se kjo e kurthon Kosovën në njëfarë getoje në të ardhmen", por si ka shtuar ai "të tillët e kanë shumë gabim".

“Mendoj se në pikëpamje afatgjate, shënimi (fusnota) do të jetë e tillë në histori. Me fjalë të tjera, është e parëndësishme. Çështja e rëndësishme është se Kosova do të jetë anëtare e organizatave, do ta përfaqësojë vetveten me të drejtën e saj dhe përfaqësuesit e popullit të Kosovës, do të jenë të pranishëm në të gjitha forumet rajonale duke u përkujdesur për interesat e vendit” ka deklaruar ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell në intervistën dhënë Zërit të Amerikës.

Si ka theksuar Dell ai e di që ” shumë të ashtuquajtur intelektualë dhe analistë mendojnë se kjo e kurthon Kosovën në njëfarë getoje në të ardhmen”, por si ka shtuar ai “të tillët e kanë shumë gabim”.

I pyetur se çka mund të fitojë Kosova me kompromise të reja (me pranimin që Kosova të prezentohet në forume rajonale e ndërkombëtare përmes fusnotës e cila mes tjerash përmbanë edhe Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovë 1244), Dell është përgjigjur ” nëse Kosovës i është ofruar studimi i fizibilitetit që çon drejt marrëveshjes për stabilizim – asociim, mendoj se keni lëvizur konkretisht në rrugën evropiane për të paktën pesë vjet më shpejt nga sa do të ishit në rrugë të tjera.

Nëse e marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave brenda disa javësh, jam i sigurt se do të ecni përpara për të paktën 12 deri në 18 muaj me shpejt sesa që do të përparonit në të kundërtën. Mendoj se këto janë arritje të vërteta. Plus, ju keni fituar të drejtën ta lini UNMIK-un jashtë kur shkoni në takimet rajonale ku flisni për veten duke mbrojtur interesin tuaj dhe duke u përkujdesur për interesin tuaj. Nuk vareni më nga ndonjë burokrat i errët rus, i cili do të mund të ishte atje duke përfaqësuar vendin tuaj”.
Shtuar më 23/02/2012, ora 20:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori