Delawie: Kosova është në një pikë kthimi, populli i Kosovës dëshiron progres
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me udhëheqësit e ardhshëm të institucioneve të Kosovës, me qëllim të zhvillimit të vendit, deklaroi ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, duke shtuar se Kosova është në një pikë kthimi, ku qytetarët ndjejnë stagnim të zhvillimit.

Në një intervistë për Radio Kosovën, në prag të 4 korrikut, 241 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, ambasadori Delawie, thotë se edhe SHBA-të kanë pasur periudha të ngjashme, por i kanë tejkaluar ato, duke u bërë bashkë liderët politikë te vendit.

“Kam përshtypjen se shumë njerëz ndjehen sikur kanë ngecur në një vend dhe nuk shohin përparim. Natyrisht edhe në SHBA ka pasur periudha kur kemi qenë në situata të tilla, kur është dukur se kishim një lloj stagnimi, por të gjitha ato janë tejkaluar, atëherë kur udhëheqësit e vendit janë bërë bashkë dhe kanë punuar për të mirën e vendit. Kanë gjetur zgjidhje të ndryshme, kanë gjetur kompromise të ndryshme, për çështje të rëndësishme”.

Ambasadori Delawie theksoi se Kosova është në një moment kthese, duke shprehur gatishmërinë e SHBA-ve që ta ndihmojnë lidershipin e ri, që të shpejtohet progresi në vend.

“Mendoj se Kosova është në një pikë kthimi. Populli i Kosovës dëshiron progres. Shumë njerëz nuk po shohin përparim të mjaftueshëm dhe nuk do të duhej të ishte si një lloj ngecje. SHBA dëshirojnë të ndihmojnë Kosovën në përparimin e saj. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën, siç e shohim çdo ditë, vend sovran, shumetnik, në paqe me fqinjët e vet, e cila është plotësisht e integruar në komunitetin më të gjerë botëror. Dhe jemi të gatshëm të punojmë me gjeneratën e ardhshme të udhëheqësve të Kosovës, të cilët ndajnë të njëjtat vlera”.

Këtë qëndrim ambasadori Delawie e shprehu edhe në ceremoninë e pritjes, ditën e premte me rastin e shënimit të Ditës së pavarësisë së SHBA-ve. Ndër të tjera, ai ka thënë se kompromisi i madh paraqet një mësim të rëndësishëm për udhëheqësit sot, veçanërisht përderisa Kosova fillon ta formojë qeverinë e vet të re.

“Levat ndërkombëtare që kanë mbështetur vendimmarrjen në Kosovë në të kaluarën nuk janë aq aktive sa dikur. Bota është e shpërqendruar, shumë vende janë të preokupuara me çështjet e brendshme. Sytë e të gjithëve nuk janë të kthyer nga Ballkani tash. Gjithnjë e më shumë po llogarisim në juve për t’i marrë vetë vendimet tuaja dhe për ta marrë përgjegjësinë për to”, ka thënë Delawie në fjalimin e tij, në ceremoninë e shënimit të 241 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve.
Shtuar më 03/07/2017, ora 15:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori