Shiu dhe stuhitë e erës largojnë pushuesit, “boshatisen” shezlongët në Durrës, Vlorë e Sarandë

Reshjet e shiut që kanë nisur mesditën e kësaj të premteje në vend, kanë larguar pushuesit nga zonat bregdetare. Shiu dhe stuhitë e forta të erës kanë bërë që plazhistët të mbyllin shezlongët dhe të ikin.

Fillimisht jugu i vendit, plazhet e Sarandës dhe Vlorës janë goditur nga reshjet intensive të shiut, të shoqëruara dhe me erë. Përkeqësimi i kushteve atmosferike në fakt ishte paralajmëruar nga sinoptikanët prej një jave.

Paraditja ka nisur me diell dhe mot të kthjellët, ndaj pushuesit nuk e kanë pritur që shiu t’i kapte në plazh. Por reshjet e menjëhershme dhe stuhia e erës i ka zënë të papërgatitur, duke bërë që të marrin në krah rrobat dhe të largohen.

Shërbimit Meteorologjik Ushtarak njoftoi dje se, reshjet e shiut do të shtrihen në jugperëndim dhe në pjesën tjetër të vendit. Në mesditë reshjet fitojnë intensitet deri mesatar, të cilat hera-herës priten të jenë në formën e shtrëngatave dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.