Delawie del kundër Thaçit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Greg Delawie, në një intervistë për mediumin KoSevv, teksa ka folur rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka thënë se palës kosovare në këto bisedime i duhet më shumë legjitimitet, duke përmendur këtu edhe përfshirjen e Kuvendit në këto bisedimet të cilat udhëhiqen nga Thaçi.

Sa i përket idesë së ndryshimit të kufijve, Delawie nuk ka pranuar të komentojë detaje specifike, duke thënë se edhe Prishtinës dhe Beogradit duhet t’i jepet kohë për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme që do t’i kontribuonte paqes në Ballkan dhe jo të kundërtës.

Delawie ndër të tjera ka folur edhe për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë.

Një muaj pas ardhjes në Kosovë para disa viteve, patët folur pikërisht për KosSev-in dhe e patët lavdëruar qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin për marrjen e vendimit të atëhershëm për themelimin e Gjykatës Speciale. Gjithashtu, e patët nënvizuar rëndësinë e marrëveshjes së nënshkruar të Brukselit. Ju do të largoheni nga Kosova në fund të shtatorit. Nga kjo distancë kohore, si do të komentonit për këto çështje, veçanërisht duke pasur parasysh se këto dy çështje, marrëveshja e Brukselit – dialogu dhe Gjykata Speciale de facto – janë zhdukur nga vëmendja e publikut.

AMB: Nuk do të pajtohesha që dialogu është zhdukur nga vëmendja e publikut. Ka shumë diskutime për dialogun. Nuk është diskutim edhe shumë i frutshëm, por ka shumë ngacmim të vëmendjes së publikut për këtë. Ende mendoj që është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë një modus vivendi për të ardhur te ky normalizimi për të cilin kemi folur. Mendoj se bisedat ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq janë shumë të rëndësishme.

Sa i përket palës kosovare, mendoj se duhet të ketë legjitimitet shtesë demokratik për këto negociata. Do të dëshiroja të shihja Kuvendin e Kosovës duke votuar për ndonjë lloj strategjie apo qëllime apo të ngjashme për të përkufizuar cilat janë qëllimet e Kosovës në këtë diskutim. Mendoj se kjo mungon tash për tash. Nëse ka ndonjë lloj ujdie ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq, e pastaj të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe që të jetë tamam lajm i ri për ta, atëherë kjo nuk do të jetë diçka e mirë sepse marrëveshjet ndërkombëtare si ajo kërkojnë 80 vota. E sa e di nga përvoja ime nga marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi, sigurimi i 80 votave për çkado këtu nuk është e lehtë. Prandaj, mendoj se do të duhej të ketë më shumë përfshirje për procesin politik në këtë diskutim.

Sa i përket Gjykatës Speciale, në dhjetorin dhe janarin e shkuar pati një varg aktivitetesh për të. Në janar i kam thënë disa fjalë të fuqishme për këtë. Na erdhi mirë që përpjekjet për shkatërrimin e Gjykatës Speciale ranë përdhe. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin Gjykatën Speciale sepse është shumë e rëndësishme për të sjellë drejtësi për viktimat e luftës këtu. Mendoj se shfaqja më e dukshme e vazhdimit të mbështetjes së qeverisë amerikane për Gjykatën është kryeprokurori i ri special, që quhet Jack Smith, i cili është amerikan dhe mundësohet nga qeveria e SHBA-së. Ai është prokuror me shumë përvojë, si në sistemin amerikan po ashtu në tribunalet ndërkombëtare dhe siç duket, është person shumë i fortë. Mendoj se fakti që qeveria e SHBA-së po e siguron kryeprokurorin është tregues shumë i fuqishëm i mbështetjes sonë të vazhdueshme për Gjykatën.

A mund t’ju pyes kur parashihni që çështja e Gjykatës Speciale të rikthehet edhe në publik edhe në këtë arenën politike?

AMB: Gjykata nuk është organ politik, është organ i drejtësisë dhe ata nuk punojnë për mua. Edhe pse prokurori është amerikan, ai nuk punon për qeverinë amerikane. Ai është i pavarur në rolin e tij, njëjtë si gjyqtarët që janë të pavarur, por sigurohen nga Bashkimi Evropian. Nuk kam ide se kur do të fillojnë të marrin vendime. Kjo varet nga ta. Ne do të mbështesim çfarëdo që të bëjnë.

Në të njëjtën intervistë që iu referova në fillim, ju patëm pyetur: Çfarë porosie keni për serbët dhe shqiptarët? Patët thënë: “Shumëllojshmëria dhe respekti për të tjerët në thelb paraqesin themelin e demokracisë shumetnike. Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që të nxisë vazhdimin e zhvillimit të një demokracie shumetnike në Kosovë. Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës janë çelësi i paqes së qëndrueshme dhe i zhvillimit në rajon, si dhe janë thelbësore për të ardhmen e vendit.” Tash kur jemi në një lloj pragu të një shkëmbimi të mundshëm të territoreve, të cilin disa e quajnë shënim të kufirit e disa ndarje etnike, shumë njerëz frikohen se ky lloj skenari mund ta shtyjë rajonin sërish në luftë. Në të vërtetë, shumë njerëz i frikohen një konflikti të ri. Si ju tingëllojnë këto porosi që i keni përmendur në fillim të mandatit parë nga kjo distancë kohore dhe me këtë retorikë të re politike? Si ju tingëllojnë këto porosi tuajat tani?

AMB: Ende jam mjaft i kënaqur me atë që e kam thënë. Vazhdoj të besoj se Kosova duhet të jetë shtëpia e të gjithëve që duan të jetojnë këtu, të çfarëdo komuniteti etnik qofshin. SHBA-ja sigurisht që e ka mbështetur shumetninë në Kosovë prej fillimit. Shoh përparim të vazhdueshëm në këtë fushë, sigurisht edhe në veri, ku e kemi integruar sistemin e gjyqësorit, që tash është pjesë e sistemit të Kosovës. Kjo është pozitive. Duke ecur në qendër të Prishtinës në bulevardin “Nëna Terezë” dëgjoj shumë veta duke folur në gjuhën serbe. Shumë njerëz më kanë thënë se para dhjetë viteve kjo nuk do të kishte ndodhur; njerëzit do të ishin frikësuar për ta folur gjuhën serbe në qytet. Tash është e zakonshme.

Unë besoj se si në SHBA, shumëllojshmëria dhe shumetnia mund të jenë burim i forcës për Kosovën; për njerëzit që jetojnë këtu. Mendoj se nëse i shikoni vendet e botës që njëmend admirohen nga të tjerët, ato nuk admirohen për shkak se janë njëkombëshe, por sepse mund të marrin më të mirën nga të gjitha etnitë e ndryshme dhe të nxjerrin diçka që është më e mirë se gjithçka tjetër që do të mund ta nxjerrte vetëm një etni. Pra, ende jam i përkushtuar ndaj suksesit shumetnik të Kosovës. Jam optimist dhe mendoj se pas dhjetë viteve, kur të kthehem në Prishtinë, pres të shoh një qytet shumë të gjallë e plot jetë ku njerëzit nga i tërë Ballkani janë shumë të lumtur për të qenë këtu.

Me komunitet monoetnik, pas dhjetë viteve? Si e parashihni kufirin? A parashihni ndryshim të kufirit pas dhjetë viteve siç është sugjeruar nga të dy udhëheqësit? Të paktën ata flasin për… njëri udhëheqës flet për vijëzimin e kufirit, tjetri për korrigjimin e kufirit dhe për ndarjen e tri komunave nga jugu i një shteti sovran [dhe bashkimin] me Kosovën?

AMB: Qëndrimi ynë është që të mos hyjmë në hollësitë e marrëveshjes tash për tash. Qëndrimi ynë si SHBA është që Kosovës dhe Serbisë t’iu mundësojmë hapësirë për të arritur ndonjë lloj marrëveshjeje, e cila do të ishte e qëndrueshme, që do të mund të pranohej nga njerëzit e të dy vendeve, që do ti kontribuonte stabilitetit në Ballkan e jo të kundërtës, që do të ishte e drejtë dhe të cilën prijësit do të mund t’ia shpjegonin opinionit të tyre publik. Sa i përket përmbajtjes së asaj marrëveshjeje, nuk jam i gatshëm që të komentoj tash për tash. Natyrisht që ka kufizime se çka jemi të gatshëm të pranojmë dhe nëse ka ndonjë skicë të marrëveshjes, me të cilën nuk jemi të kënaqur, sigurisht që do t’ua bëjmë të ditur mendimin tonë.

TL: Kufizime për skicën e marrëveshjes?

AMB: Po.

Vijëzim i kufirit, shkëmbim i tokës, korigjim i kufirit, ndarje – nëse këto do të ishin themelet e skicës së marrëveshjes me ndarje të qartë në vija etnike, a parashihni ndonjë kufizim pikërisht për një marrëveshje të tillë? Apo më lejoni ta parashtroj pyetjen ndryshe: a e përjashtoni plotësisht dhunën nëse realizohet ndonjëri nga këta skenarë? Nuk ka rëndësi si quhet: ndarje etnike, shkëmbim i tokës, vijëzim apo korigjim i kufirit. Sa e pranueshme do të ishte një zgjidhje e tillë për SHBA-në nëse ka dhunë krah për krah me zbatimin e një skenari të tillë: vijëzim të kufirit apo diçka të ngjashëm?

AMB: Më duhet ta ndaj këtë pyetje në dy pjesë sepse siç thashë, në këtë çast nuk do të flas për zgjidhjet e mundshme. Sa i përket dhunës, mendoj se mund të jem mjaft i qartë për këtë. Ne jemi kundër dhunës. Ballkani ka parë mjaft dhunë dhe mendoj se njerëzit e rajonit kanë parë mjaft dhunë dhe nuk duan të shohin më shumë. Ne japim resurse të mëdha në trupat e NATO-s këtu, në Forcën e Kosovës, qindra e qindra ushtarë amerikanë dhe ata janë këtu për t’i mbrojtur njerëzit. Ata janë këtu për ta parandaluar dhunën; për të mundësuar liri të lëvizjes, mjedis të sigurtë e paqësor dhe ky është një përkushtim gjigant për ne dhe këta ushtarë – që momentalisht janë nga Kalifornia, prej nga jam edhe unë, por së shpejti do ta kemi grupin e ri sepse ndërrohen çdo 9-10 muaj – janë këtu për të siguruar se nuk ka dhunë dhe për të penguar dhunën. Deri tash, mendoj se kanë qenë shumë të suksesshëm. Mendoj, në fakt e di, që KFOR-i respektohet shumë nga të gjithë njerëzit që jetojnë këtu dhe që të gjithë janë shumë të lumtur kur i shohin ushtarët e ndryshëm të KFOR-it duke iu kaluar pranë në uniformat e tyre të ndryshme të NATO-s.

Thatë që kur të ktheheni në rajon pas dhjetë viteve… A parashihni që të mos ketë konflikt apo dhunë? A mund t’ua premtoni këtë njerëzve?

AMB: Do të ishte qesharake të premtoja. Më vjen keq. Nuk dua dhunë: Unë jam diplomat. Tërë karrierën time ia kam përkushtuar zgjidhjes paqësore të problemeve. Siç e thashë, SHBA-ja ka zotuar shumë resurse, shumë njerëz të mirë për ta bërë dhunën sa më pak të mundshme. A mund ta premtoj atë? Natyrisht që jo, por do të bëjmë më të mirën tonë të mundshme për të siguruar që nuk ka dhunë.

T’i kthehemi karrierës suaj personale. Cili ishte suksesi juaj më i madh këtu në Kosovë dhe çka mendoni se do të mund të ishte bërë më mirë? Jo domosdoshmërisht nga ju, por gjërat që do të dëshironit t’i shihni dhe që do të mund të ishin më mirë.

AMB: Mendoj se kemi pasur mjaft përparim në sundimin e ligjit, për çka jam mjaft krenar. P.sh. miratimi i udhëzuesit për politikën ndëshkimore, integrimi i gjyqësorit në veri, dokumentet e regjistrit civil për pakicat – s’është përfunduar ende, por ka përparim – Gjykata Speciale, për të cilën tashmë folëm. Ka shumë më shumë transparencë në qeveri se që ka pasur më parë. Më shumë vendime gjyqësore po bëhen publike, tash është edhe prokurimi elektronik që nënkupton se nëse qeveria dëshiron të blejë diçka, duhet ta bëjë publike. Pra, këto janë shumë pozitive. Gjatë viteve të fundit, kemi pasur disa lajme të mira ekonomike në të cilat kemi kontribuar edhe ne, si p.sh. mjedrat. Kur kam ardhur këtu, pothuajse fare nuk ka pasur eksport të mjedrave; tani eksporti i tyre në Evropën Perëndimore arrin në dhjetë milionë euro në vit. Kjo do të thotë shumë vende pune, sidomos në zonat rurale. Bimët mjekësore – është një kooperativë e madhe e pothuajse vetëm grave që mbledhin dhe procesojnë bimët mjekësore për eksport, shumicën në Zvicër. E këtë e bëjnë një grup shumetnik i grave. Ne kemi kontribuar për këtë dhe jam shumë krenar. Pastaj, është shoqëria civile në lulëzim – ju jeni pjesë e saj dhe na vjen shumë mirë që shohim gazetari hulumtuese që po i ndryshon gjërat dhe që po i vë në pah çështjet e vështira.

Përkitazi me gjërat që do të dëshiroja t’i kemi bërë. Do të dëshiroja ta kem një shkop magjik për ta çrrënjosur korrupsionin – të gjithë janë të pakënaqur për shkak të korrupsionit. Kjo çështje i bashkon të gjitha komunitetet e Kosovës, të gjitha e urrejnë korrupsionin. Por, për fat të keq, nuk është problem që mund të zgjidhet lehtësisht. Duhet të punohet vazhdimisht, hap pas hapi, për të mbyllur mundësitë për korrupsion. Por, siç e dini, unë do të largohem, por ambasada dhe ekipi im do të vazhdojnë të punojnë për këtë çështje sepse është kaq e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.


Shtuar më 21/09/2018, ora 15:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori