Del në qarkullim pulla postare me portretin e Ukshin Hotit
Posta e Kosovës ka nxjerrë në qarkullim pullën postare që i kushtohet veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Ukshin Hoti. Drejtues të Postës së Kosovës nga ky promovim simbolik i pullës postare shtruan pyetjen: Ku është Ukshin Hoti?

Shefekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha me këtë rast tha se këtë pullë postare po e lëshojmë në qarkullim në ditëlindjen e 72-të të profesor Ukshin Hotit.

"Sot Filatelia e Postës së Kosovës, po pasurohet edhe me një pullë postare shumë të çmueshme, me portretin e Ukshin Hoti, intelektualit dhe veprimtarit i cili kurrë nuk u ndal së punuari për çështjen kombëtare, lirinë dhe të drejtat e njeriut. Këtë pullë postare po e lëshojmë në qarkullim sot, në ditëlindjen e 72-të të profesor Ukshin Hotit", tha Hoxha.

I pari i Postës së Kosovës theksoi se sa herë që emetojnë një pullë të re postare, është procedurë e zakonshme që të tregohet dhe të jepet arsyetimi se përse i kushtohet një personaliteti të caktuar.

"Profesor Hoti u burgos disa herë. Së fundi në vitin 1994. Sot e kësaj dite nuk dimë gjë për fatin e Ukshin Hotit. Zhdukja e tij në maj të vitit 1999 vazhdon të jetë enigmë që rëndon mbi ndërgjegjen e klasës politike shqiptare në Ballkan, bashkësisë ndërkombëtare, si dhe organeve të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Edhe nga ky promovim simbolik i pullës postare me portretin e tij shtrojmë pyetjen: Ku është Ukshin Hoti?", shtoi ai.

Ndërsa djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti, ka falënderuar Postën e Kosovës për idenë dhe angazhimin e krijimit të pullës postare me fotografi të Ukshin Hotit.

"Unë nuk kam çka me shtua më shumë për babin, mirëpo falënderoi shumë idenë dhe angazhimin për krijimin e pullës postare me fotografi të Ukshin Hotit. Për mua ka rëndësi të veçantë kjo pullë postare duke ditur faktin se sot është ditëlindja e Ukshin Hotit. Ju si institucion keni treguar kujdes që keni ndaj personalitetit të babit. Njëkohësisht unë mendojë se zarfi shkon aty ku nuk shkon as media. Andaj, konsideroj se përmes kësaj pulle postare do të arrihet sa do pak të kemi sensibilizim për fatin e babit", tha ai. /albeu.com/
Shtuar më 17/06/2015, ora 14:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori