Degradimi i diplomacisë kosovare
Deklarata rrënuese kanë ardhur nga numri dy i Qeverisë për gjithë angazhimin e deritashëm vendor dhe ndërkombëtar, për ta bindur Serbinë që ta njohë shtetin e Kosovës.

Sipas zëvendëskryeministrit të parë, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Serbia nuk duhet ta ketë domosdoshmëri njohjen e Republikës e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Zyra e kryeministrit nuk ka komentuar deklaratën e Pacollit, vetëm ka proklamuar të kundërtën që e thotë kreu i diplomacisë.

Presidenti Hashim Thaçi që ka marrë rolin e prijësit në dialog dhe kryeministri Ramush Haradinaj deri tani kanë folur për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ku njohja e ndërsjellë është thënë të jetë e pashmangshme.

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme ka shprehur shqetësim për deklaratat e Pacollit, ndërsa që ky i fundit nuk u është përgjigjur thirrjeve për raportim.

Ministria e Punëve të Jashtme ka publikuar të premten pjesë nga intervista e shefit të këtij dikasteri për agjencinë italiane “Nova”. Duke folur për marrëdhëniet me Serbinë, Pacolli ka dhënë deklaratë të padëgjuar më herët nga zyrtarët e shtetit.

Serbia nuk duhet ta njohë domosdo pavarësinë e Kosovës, por nuk duhet të ndalë udhëtimin e Prishtinës drejt Evropës", ka thënë Pacolli.

Ndryshe nga Serbia që deri më tani e ka luftuar shtetin e Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë, Pacolli fqinjin verior e konsideron si një faktor stabiliteti.
Shtuar më 29/01/2018, ora 08:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori