Daut Haradinaj: Jo koalicion me PDK-në
Alanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Daut Haradinaj, anëtar i kryesisë së AAK-së, dhe vëlla i liderit të këtij subjekti opozitar, Ramush Haradinajt, bashkë me zyrtarë të lartë të subjektit të tij politik, shoqëruar edhe nga kryetari i Pejës, Ali Berisha, u ka bërë thirrje studentëve dukagjinas që të mos jenë jashtë proceseve politike që po ndodhin në vend dhe rreth tij, duke shtuar se “ju duhet të jeni pjesë aktive e projekteve politike për ndryshimin e proceseve në Kosovë”.

Haradinaj, në shallën e njëjtë dhe nga e njëjta foltore, në të cilën 3 javë më parë kryeministri i vendit kishte mbajtur poashtu një ligjëratë politike, ka shtuar para studentëve se rinia sot duhet të jetë e aftë për të kontribuar në ndryshimet politike në shkallë vendi dhe për më shumë edhe për të dhënë ndihmesën e tyre për integrimet evroatlantike të shtetit më të ri të bnotës.
Duke u rikthyer në kujtesën e luftës Haradinaj ka bërë paralelizëm midis mundësive sot të rinisë dhe gjeneratës së tij.

“Kur unë isha në moshën tuaj bashkë me moshatarët e mi luftuam për çlirrimin e Kosovës. Shumë nga luftëtarët e lirisë kanë rënë për lirinë që gëzojmë sot. Ideal i tyre ishte liria, por edhe arsimimi”, ka thënë Haradinaj në këtë takim që i ngjante një fushate, por që nuk u tha të ishte fushatë. “Mos i harroni sakrificat e dëshmorëve, por përpiquni që të bëheni të përgatitur për integrime në familjen e madhe evropiane, sepse ju do ta çoni Kosovën atje ku e ka vendin”, ka thënë Haradinaj.

Të mërkurën Daut Haradinaj, në këtë takim me studentët është shoqëruar nga Steven Schook, Genc Begolli dhe kryetari i Pejës, Ali Berisha.
Nga ana tjetër kryetari i Pejës, Berisha, ka thënë se është nder për Pejën që ka një fakultet të suksesshëm me moshë 50 vjeçare. Ai u ka thënë studentëve se vitin tjetër Peja do të ketë edhe godinat e universitetit publik në hapësirat e ish-kazermave të TMK-së. “Në bashkëpunim të FSK-së 10 hektarë të hapësirës së kazermave të FSK-së do të kalojnë në pronësi të Komunës. Aty do të ndërtohen objektet e universitetit, që bashkë me hapësirën do të kalojnë në pronësi të universitetit. Ky institucion i lartë arsimor-shkencor ka rëndësinë e vet për shkollimin jo vetëm të qytetarëve të Dukagjinit, por edhe për qytetarët e komunave fqinje si Rozhaja, Plava, Gucia, Ulqini e tjera. Takimet e ardhshme do t’i kemi në hapësira të reja dhe më të mira”, ka thënë Berisha.

Ndërsa Steven Schoock, këshilltar politik i Ramush Haradinajt, nuk ka shpëtuar pa u ndërlidhur me zgjedhjet e ardhshme. Ka kërkuar nga studentët që të votojnë për njerëz, siç tha ai, të pakorruptuar. “Korrupsioni nuk krijon vende pune për të rinjtë e arsimuar. Prandaj, në zgjedhjet e ardhshme duhet të dini se për kënd votoni. Votoni më të mirët, ata njerëz që janë në gjendje të luftojnë korrupsionin”, ka thënë ai.

Anëtari i kryesisë së AAK-së Daut Haradinaj, tek pasi ka dal nga objekti i fakultetit ka dhënë një prononcim politik për situatën në vend. “Ne jemi pa president, pa gjysmën e qeverisë, faktikisht jemi në një kolaps institucional, prandaj zgjedhjet janë të domosdoshme”, ka thënë ai. Duke përsëritur se AAK-ja edhe më parë ka qenë kundër kësaj qeverie, Haradinaj ka saktësuar se për krizën institucionale në vend janë fajtorë LDK-ja dhe PDK-ja.

“Ndonëse LDK-ja po mundohet të nxirret prej situatës është përgjegjëse po aq sa PDK-ja për gjendjen e shkaktuar”, ka thënë ai para medieve, duke ritheksuar edhe një herë se subjekti i tij politik për asnjë çmim nuk do të bëjë koalicion qeverisës me PDK-në. Për liderin e partisë, Ramushin, që gjendet në hagë ka thënë se do të jetë bartës i listës, ndonëse besohet, siç tha ai, se së shpejti Haradinaj do të lirohet nga Tribunali i Hagës.
Shtuar më 27/10/2010, ora 19:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori