DASH: Ja metodat e përhapjes së ekstremizmit islamik në Kosovë
Në raportin vjetor për terrorizmin Departamenti Amerikan i Shtetit , për rastin e Kosovës, thekson dy faktorë kryesor në nxitjen e ekstremizmit, financimin nga organizatat e huaja dhe përdorimin e mediave sociale për të përhapur propagandë dhe rekrutuar njerëz.

Sipas DASH në Kosovë kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është rritur gradualisht atje që nga konflikti i vitit 1999, i nxitur pjesërisht nëpërmjet financimit nga organizatat e huaja që predikojnë ideologji ekstremiste. Rreth 250 nga 300 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, thuhet në raport, kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in ose Frontin el-Nusra, nga të cilët rreth 50 janë vrarë, raporton Zëri i Amerikës.

Grupet e dhunshme ekstremiste kanë përdorur në mënyrë aktive mediat sociale për të përhapur propagandë dhe rekrutuar njerëz, thuhet në raport. Në vitin 2015, në Kosovë nuk ka patur incidente terroriste, edhe pse policia ka arrestuar të dyshuar për planifikimin e sulmeve të tilla.

Në shtator, thotë raporti, Qeveria e Kosovës miratoi një plan gjithëpërfshirës strategjie dhe veprimi për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Sipas raportit, aftësia e Kosovës për të ushtruar autoritetin e saj në veri është përmirësuar që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por të dy vendet ende nuk e kanë zbatuar plotësisht marrëveshjen.

Edhe pse Kosova dhe Serbia fqinje zakonisht nuk bashkëpunojnë në çështjet e kundër terrorizmit, thotë DASH, qeveritë kanë një plan për Menaxhimin e Integruar të Kufirit që nga viti 2013 dhe kanë marrë pjesë në trajnime të përbashkëta të sponsorizuara nga SHBA. Kosova është anëtare e Koalicionit Global për Luftën kundër ISIS-it dhe ka ndërmarrë hapa për të mbështetur përpjekje të ndryshme brenda aftësive të saj. Ajo është fokusuar kryesisht në frenimin e luftëtarëve të huaj terroristë, si dhe në frenimin e financimeve për grupet terroriste.

Kosova ka një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse që mbulon të gjitha aspektet penale që lidhen me terrorizmin. Kodi Penal i Kosovës ruan modelin e OKB-së në legjislacionin penal kundër terrorizmit dhe penalizon të gjitha format e terrorizmit, duke përfshirë ndihmën, lehtësimin, rekrutimin, trajnimin, dhe nxitjen për të kryer akte terrorizmi, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

Gjithashtu Kuvendi i Kosovës më 12 Mars,miratoi Ligjin që ndalon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja. Ligji hyri në fuqi më 18 prill. Sipas raportit, autoritetet kanë qenë pa përvojë në trajtimin e rasteve të terrorizmit, dhe komunikimi si dhe shkëmbimi i informacioneve mes agjencive të ndryshme mbeti një sfidë.

Ndërkohë vitin e kaluar, thuhet në raportin e DASH, prokurorët kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar punën në trajtimin e rasteve të lidhura me terrorizmin. /albeu.com/

Shtuar më 03/06/2016, ora 10:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori