I hapur për bashkëpunim me Ramën, aleati i Bashës del haptas: Jam dakord!

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka dalë pro bashkëpunimit të opozitës me maxhorancën për reformat e rëndësishme.

Deputeti Duka u shpreh për ‘Reporttv’ duke thënë se konflikti brenda vetvetes, po pengon PD të koordinohet me aleatët dhe të humbasë vëmendjen nga aksioni opozitar.

“Duke patur një konflikt shumë të madh ndërmjet vetes,Partia Demokratike, përplasja Basha-Berisha përqendron vëmendjen te kjo përplasje. Kjo është arsyeja të mos kenë vëmendjen ndaj aleatëve dhe aksionit opozitar, sepse sigurisht kjo është një çështje më madhore.

Është e vërtetë po ashtu që nuk ka koordinim të vendimeve, veprimet janë të pakoordinuara. Padyshim që zbeh veprimin opozitar, e gjitha kjo është në dëm të opozitës dhe atyre që i kanë votuar.”, thotë ai.

Duka thotë se ftesa për të votuar ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e vetingut duhet të pranohet dhe për këtë ka një argument. Ajo thotë se duhet të ketë një kombinim mes konsensusit, rezistencës dhe reagimeve të forta.

“Duhet bashkëpunim. Unë mendoj që duhet bërë përderisa jemi dakord me reformën në drejtësi. Por kjo nuk varet nga dora ime, apo një grup i vogël parlamentar, por nga një dorë më e gjerë si PD. Por jam dakord që dy reformat më të rëndësishme që duhet të ndërmarrë parlamenti është ajo territoriale dhe zgjedhore dhe kjo duhet të pasohet me zgjedhje vendore”, shprehet Duka./reporttv

 


Shtuar 27.09.2021 16:14