Danaj: Bashkimi i shqiptarëve nuk është larg
Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj deklaron se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ka për të ndodhur shumë shpejt, sepse Shqipëria nuk do pranohet në BE pa Kosovën.

Danajn thekson se tashmë ka ardhur koha që ne si shqiptarë të mos bëjmë vetëm thjesht deklarata, por të hartojmë një platformë të qartë të bashkimit dhe t'ia prezantojmë atë Brukselit, kjo është një deklaratë që ai e bbën duke u bazuar në deklaratën e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilën e quan një paralajmërim për bashkimin dhe jo një provokim.

"Nuk kemi të bëjmë me një provokim, kemi të bëjmë me një reagim. Po ju sjell një shembull: reagimi i Ambasadës Amerikane ishte pa emër. Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-ve u shpreh se ndoshta nuk ka ardhur koha për gjëra të tilla. SHBA, kur do të prononcohet për një problem, në të gjithë hapësirën e kombit shqiptar, flet me emra, me emër ambasadori e me emër këshilltari, me emër zëdhënësi të Departamentit të Shtetit etj. Këtë herë pa emër", thotë ai.

Në lidhje se sa rrezikshmëri ka ky bashkim ai përmend rastin e shqiptarëve të Maqedonisë ku thekson se janë të fyer dhe nuk do të durojnë më.

"A doni të mos ketë rrezik, lërini shqiptarët të bashkohen. Shqiptarët janë të përçarë në disa shtete. Bashkojini shqiptarët dhe nuk do kini më asnjë shqiptar që të shkojë të kërkojë azil në asnjë vend të BE-së. Përkundrazi, do të jenë të huajt që do vijnë në Shqipëri", është shprehur Danaj në një interviztë për KP.

Gjithashtu ai fajëson politikanët e Kosovës që për hir të kolltukut nuk nxjerrin zë. Ndërkohë që bashkimin e shqiptarëve e cilëson si një mundësi e mirë për rajonin dhe BE-në.

"Kështu do t’i kursejmë edhe qindra milionë euro BE-së, ose këto qindra milionë euro qe sot i harxhon për mbi 90-të zv/ministra në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup. Sot kemi tri administrata, nesër do të kemi një. Pra, këto qindra miliona euro ose do t’i marr kombi shqiptar për mirëqenien e tij. Të gjithë përfitojnë nga bashkimi i shqiptarëve dhe të gjithë humbasin nga ky copëtim kriminal i shqiptarëve", thotë ai.

Në lidhje me faktin se pse BE nuk pranon bashkimin e shqiptarëve, ai sërish fajëson liderët tanë se kanë mungesë të platformës.
"Brukseli kërkon platformë. Tirana e ka në Kushtetutë që bashkimi shqiptar është aspiratë e ligjshme. Bukur. Ulu e zbërtheje. Le të hartojmë platformën dhe t'ia dorëzojmë Brukselit. Atëherë ke të drejtë të thuash do apo nuk do Brukseli. Mund të mos dojë Brukseli, që nuk donte as bombardimin e Beogradit. Por, do Amerika, e cila kombin shqiptar e ka aleatin e saj strategjik".

"Bashkimi i shqiptarëve nuk është larg". /albeu.com/
Shtuar më 26/04/2015, ora 16:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori