Daka: Sot certifikohen zgjedhjet e 11 qershorit
Nga sot koalicioni PAN mund të nisë diskutimet për krijimin e Qeverisë.

Kjo sepse gjatë ditës së sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar sot për Gazetën Express, kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka. Ajo u shpreh se përfundimisht sot do të certifikohen rezultatet.

“Gjatë ditës së sotme pritet ta bëjmë certifikimin. Sot do ta dërgojmë njoftimin zyrtar”, ka thënë Daka.

Ndërkohë që procesi i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë më 11 qershor ka zgjatur më shumë se 3 javë. Kjo si pasojë e ankesave që subjektet politike, si dhe kandidatët për deputet kanë dërguar në PZAP.

Në bazë të rezultatit përfundimtar, është konfirmuar se koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 39 vende në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 vende, kurse në vendin e tretë është koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën me 29 vende.

Nga komunitetet pakicë, prin Lista Serbe e cila ka fituar 9 vende, kurse Partia e Pavarur Libera ka marrë një vende. Po ashtu, edhe komuniteteve joserbe u janë ndarë 10 ulëset e garantuara.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 800 mijë banorë, nga të cilët në zgjedhje dolën mbi 747 mijë votues apo 41.30 për qind e pjesëmarrjes.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 50 mijë është numri i fletëvotimeve të pavlefshme. Nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit është përcaktuar përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 vende.
Shtuar më 08/07/2017, ora 11:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori