Daka: Ja arsyeja pse kemi mbi 52 mijë vota të pavlefshme
Në bazë të rezultatit preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 34 për qind të votave, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, kurse në vendin e tretë është koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave.

Nga komunitetet pakicë, Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind të votave.

Ndersa sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 52 mijë është numri i fletëvotimeve të pavlefshme.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se ky trend po përsëritet në të gjitha zgjedhjet e parakohshme.

"Afatet e shkurta ndikojnë edhe në informimin publik, sidomos votuesit e rinj nuk dinë të votojnë. Ka ndoshta edhe arsye të tjera, edhe pse ne në fakt nuk e dimë saktësisht pse fletëvotimet janë të pavlefshme".

“Mundet të ketë edhe arsye tjera, ka edhe njerëz që janë të pakënaqur me gjithë situatën politike dhe thjeshtë e shprehin pakënaqësinë e tyre duke prishur fletëvotimin. Pra, ka lloj- lloj arsyesh.

Por, ne vetëm pasi të bëjmë një analizë të përgjithshme të tyre, do të dimë se cilat janë arsyet kryesore“, ka thënë Daka.

Zgjedhjet e 11 qershorit, në përgjithësi janë vlerësuar të suksesshme, përjashtuar disa vërejtje që janë dhënë në lidhje me listën e pa përditësuar të votuesve dhe disa parregullsive, por të cilat sipas vëzhguesve, nuk kanë ndikuar në proces.

Këto zgjedhje, pritet të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, nga i cili më pas do të formohet edhe Qeveria e re e Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 13/06/2017, ora 12:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori