Sot rekord i zi, Manastirliu nxjerr pamjet e një pacienti në gjendje të rëndë

Sot vendi ynë shënoi një rekord prej 117 rastesh të reja, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, apelon të gjithë qytetarët që të respektojnë masat e distancimit dhe të higjienës.

Përmes një fotoje brenda spitalit Infektiv, të një pacienti në gjendje të rëndë për jetën, Manastirliu thotë se duhet bërë çmos për parandalimin e përhapjes së virusit, pasi trajtimi në spital nuk është zgjidhja.

Postimi i Manastirliut:

SPITALI INFEKTIV, Kjo është kryeinfermiere Merita Sefa, e cila po i shërben njërit prej pacientëve, që aktualisht po trajtohet për simptomat e rënda të virusit të rrezikshëm në spitalin infektiv. Nuk është lojë, rrezikohet jeta! Sepse, siç thonë mjekët, të cilët janë çdo ditë pranë pacientëve, sëmundja është tinzare!

A mundemi ne ta kufizojmë përhapjen e COVID19? PO, nëse secili prej nesh tregon kujdes në përditshmëri. Nuk është zgjidhje trajtimi në spital, por parandalimi: Respekto distancën; Vendose maskën; Ruaj higjienën vetjake dhe kolektive.


Shtuar 13.07.2020 11:25