Daçiç: Putin ka pranuar që të vendoset kufiri midis serbëve dhe shqiptarëve
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, para pesë vjetëve ka rënë dakord me idenë e vënies së kufirit mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe Serbi.

“Para pesë vjetësh Putini është pajtuar me këtë propozim. Shumë herë, kam biseduar me Putinin edhe unë edhe Vuçiqi (presidenti serb Aleksandar Vuçiç)”, ka thënë Daçiç.

Deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, pasojnë ato të ministrit serb të Teknologjisë dhe Inovacionit, Nenad Popoviq, i cili kishte thënë se presidenti rus nuk pajtohet me idenë e vënies së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Popoviq me siguri është i informuar gabimisht që presidenti rus, Vladimir Putin, është kundër idesë së vënies së kufirit”, tha Daçiç.

Më tej, ministri i Jashtëm serb tha se deklaratat e tilla të kolegut të tij në Qeveri janë “të dëmshme për Serbinë”.

Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit të Serbisë, Nenad Popoviq, njihet për lidhjet e tij të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Përplasja mes dy ministrave të kabinetit qeveritar serb, vjen disa ditë pasi ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, tha se përcaktimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është propozim zyrtar i Serbisë.


Shtuar më 22/02/2019, ora 13:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori