Daçiç këmbëngul: Nuk ndryshojmë qëndrim për Kosovën
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç është shprehur se Serbia nuk do të jetë pjesë e BE-së edhe pasi të njohë shtetin e Kosovës pasi sipas tij, "gjithmonë do të ekzistojnë disa kushte të reja".

Në një intervistë për median ruse "Sputnjik", në pyetjen rreth deklaratës së presidentit serb Tomislav Nikoliq se sikur Serbia të pranonte Kosovën, për një muaj do të ishte në BE, është përgjigjur: "Nuk do të thosha. Gjithmonë do të ekzistonin do farë kushtesh të reja".

"Kur u dorëzua Ratko Mladiç, pas një muaji u paraqit çështja e Kosovës. Deri atëherë ajo nuk ishte në rend dit. Por ne absolutisht nuk duam të pranojmë këtë politikë të shënjestrave lëvizëse, as vënien e përhershme të kushteve të reja... Dhe ne nuk duam fare të bisedojmë më për këtë temë. Ne kemi thënë qartë dhe neve na është thënë qartë se nuk ka më kurrfarë kushtesh të reja", ka thënë kryediplomati i Beogradit.

"Ndoshta dikush e dëshiron, por Serbia s’ka ndër mend ta ndryshojë pozicionin e vet kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës. Ne konsiderojmë se jemi të gatshëm për dialog, por nuk jemi të gatshëm për imponim të asnjë kushti. As ultimatumesh", ka thënë Daçiç, citon "Koha".

Lidhur me deklaratën e përfaqësueses së BE-së Federica Mogherini se Serbia dhe Kosova po zhvillojnë si dy shtete, Daçiç ka thënë: "Mogherini ka kërkuar falje për këtë deklaratë. Gjoja ajo ka dashur të thotë se fjala është për dy palë e jo për dy shtete". /albeu.com/


Shtuar më 07/04/2015, ora 15:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori