“Basti i fundit” prangos 4 persona në Korçë

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës.

Arrestimet u bënë në kuadër të operacionit “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit.

Efektivët e policisë bëjnë me dije se janë sekuestruar 5 aparate celularë, të cilët përdoreshin për vendosjen e basteve sportive të palejuara.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Basti i fundit”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Korçë, për goditjen e informalitetit.

Vihen në pranga 4 shtetas  dhe procedohet penalisht 1 tjetër.

Sekuestrohen 5 aparate celularë, të cilët përdoreshin për vendosjen e basteve sportive të palejuara.

Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e fshehjes së të ardhurave, punësimit të paligjshëm, kontrabandimit të mallrave dhe organizimit të palejuar të lojrave të fatit, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcave Speciale “Shqiponjat”, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Basti i fundit”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. P., 21 vjeç, banues në Korçë; Xh. K., 21 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë; A. L., 32 vjeç, banues në Korçë; G. K., 44 vjeç, banues në Korçë dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Xh. G., 21 vjeç, banues në fshatin Voskopojë, Korçë.

Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të  grumbulluara si edhe nga kontrolli i ushtruar në lagjen nr. 4, në lokalin në përdorim të shtetasit E. P., i cili nuk dispononte dokumentacionin përkatës për këtë biznes, konstatuan një punonjës të pasiguruar dhe 3 aparate celularë në përdorim të shtetasve E. P., Xh. K. dhe A. L., të cilët dyshohet se përdoreshin prej tyre për vendosjen e basteve sportive.

Po ashtu gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 9, në lokalin në pronësi të shtetasit Xh. G., u konstatua një punonjës i pasiguruar, një sasi pijesh alkoolike pa pullën fiskale, si edhe shtetasit G. K., iu gjetën 2 aparate celularë, që dyshohet se shërbenin për vendosjen e basteve sportive, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Punësimi i paligjshëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”./albeu.com/