Cvetkovic flet me respekt për shqiptarët
Serbia kurrë nuk do të nisë luftë të re, ndërsa qeveria serbe respekton popullin shqiptar si dhe interesin e tyre. Kështu u ka thënë gazetarëve të rajonit kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, gjatë një forumi për mediet që po mbahet në Beograd, ndërsa të pranishëm janë edhe disa gazetarë kosovarë.

Çështja e Kosovës më së shumti ka zënë vend në debatin e hapur me shefin e qeverisë serbe, ndërsa fjalët e zgjedhura prej tij kanë habitur jo pak të pranishmit pasi për asnjë moment Cvetkovic nuk e përmendi atë që dëgjohet më së shpeshti nga zyrtarët serbë, ”Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën”.

Mirko Cvetkovic ka folur me respekt për shqiptarëte Kosovës, ndërsa ka thënë se vend i tij i ka dhënë fund njëherë e përgjithmonë luftërave, pasi tani ky vend, çdo gjë dëshiron të zgjidhë me dialog.

“Ne avokojmë për një zgjidhje afatgjate tërësisht paqësore jo vetëm mes shteteve, por edhe mes popujve të ndryshëm. Qeveria serbe e respekton popullin shqiptar dhe normalisht që ata e kanë interesin e tyre, mirëpo zgjidhja afatgjate duhet të jetë e pranueshme për të gjithë”, ka thënë Cvetkovic.

Ndonëse e ka hedhur poshtë se BE-ja e ka bërë njohjen e Kosovës si kusht për afrimin e Serbisë me unionin e 27 shteteve më të zhvilluara evropiane, ai ka thënë se ngjarjet në Kosovë kanë ndikuar jo pak në rritjen e elementeve anti-evropiane në Serbi.

“Para ngjarjeve të veriut dhe ndërhyrjes ndërkombëtare atje, në Serbi integrimi në BE është përkrahur nga mbi 70 për qind e popullatës. Kur nisën problemet në veriun e Kosovës, kjo shifër fillimisht ra në 60 për qind për të ardhur tani në vetëm 46 për qind përkrahje për BE-në”, ka thënë Cvetkovic.

Kryeministri serb është përgjigjur edhe në pyetjen e bërë nga gazeta “Zëri” nëse qeveria e udhëhequr nga ai po e përdor çështjen e Kosovës për të mbuluar problemet e mëdha ekonomike të Serbisë?

“Për mua do të ishte një lloj konflikti i interesit të them që jo qeveria e udhëhequr nga unë e përdor Kosovën si mbulim për mungesë zhvillimi, sidoqoftë, nëse keni lexuar gazetat serbe deri vonë, shumica e temave s’kanë pasur fare të bëjnë me Kosovën. Njerëzit me gjithë problemin e veriut, më shumë preukopohen me çështjet ekonomike”, ka thënë shefi i qeverisë serbe.

Ai e ka konfirmuar edhe atë që tashmë disa ditë është duke e thënë edhe shefi i delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borko Stefanovic, se zgjidhja për pikat kufitare të veriut është afër. “Megjithatë, më duhet edhe unë të them se kjo zgjidhje nuk do të kënaqë të gjithë”, ka paralajmëruar Cvetkovic.

Gjatë debatit, i cili është organizuar nga Organizata për Medie e Evropës Jug-Lindore (SEEMO) me përkrahjen e OSBE-së, është biseduar edhe për një “qendër të emergjencave” e cila po ndërtohet në territorin serb me përfshirjen e shtetit rus. Një gazetare rumune u ankua që kjo sipas vetë Rusisë, po bëhet për të spiunuar vendin e saj, ndërsa Cvetkovic shkoi edhe më tej duke thënë se kjo qendër nuk është plan anti-amerikan.
Shtuar më 03/11/2011, ora 09:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori