ǒpo “kurdis” EULEX-i?
Misioni i EULEX-it mbetet në kërkim të zgjidhjes për heqjen e imunitetit deputetëve që janë nën hetime. Një rezolutë e Kuvendit të Kosovës për imunitetet e cila do t’i dërgohej Qeverisë për kërkimin e mendimit nga Gjykata Kushtetuese, konsiderohet se do të ishte i mjaftueshëm për këtë mision që të vazhdonte me ekzekutimin e vendimit për arrestim që i ka mbetur në sirtar. Për realizimin e këtij qëllimi, pritet që të aktivizohet edhe diplomacia dhe zyrtarë nga BE-ja, të cilët do t’i shtojnë trysnitë mbi kryetarin e Kuvendit që të gjejë zgjidhje për imunitetin.

Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, ka kohë që i ka informuar përmes një shkrese kryeprokurorët e EULEX-it se zbatimi i urdhërarrestit për një deputet kërkon mendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi që deputetët i mbron imuniteti.

Burime të “Zërit” thonë se EULEX-i po synon që me arrestimin e parë të një deputeti të Kuvendit të Kosovës, të krijohet precedent edhe për raste tjera që besojnë se do të ketë në të ardhmen e afërt.

Ky burim thotë se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese do të hapte rrugë përfundimisht për çdo rast, kurse një rezolutë e Kuvendit, do të ishte një precedent për raste të tjera, ngase, sipas tij, Kuvendi i Kosovës po shndërrohet si vendi ku po fshihen njerëzit nën hetime prapa imunitetit.

Rasti i parë që EULEX-i kërkon ta zgjidhë është ai i deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj. Bazuar në disa dosje të ish-administratës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK, si dhe disa hetimeve shtesë të EULEX-it, Limaj dyshohet nga drejtësia e misionit të BE-së për krime lufte. Deputeti Limaj kishte fituar tashmë një betejë me këto akuza në procesin ndaj tij në Tribunalin e Hagës. Madje, edhe forma se si mendohet që Limaj të vihet para drejtësisë u ngjason veprimeve që shfrytëzon Haga.

I njëjti burim thotë se taktika që EULEX-i dëshiron të përdorë në këtë rast është që të kryhet arrestimi dhe mëpastaj të fillojnë hetime shtesë dhe mbledhje e dëshmive. Një veprim i tillë u ngjason atyre që aktualisht po bën Tribunali i Hagës ndaj Ramush Haradinajt. Dallimi është vetëm vendi se ku po zhvillohen proceset.

Mirëpo, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, të cilat EULEX-it ia ka sqaruar edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, një deputet i Kuvendit të Kosovës që mund të jetë nën hetime dhe të paraqitet edhe para gjykatës dhe madje edhe nëse shpallet fajtor, ai nuk mund të arrestohet përderisa të merret vendimi i shkallës së dytë, apo vendimi i prerë.

Në këtë rast, Kuvendi vendos t’i heqë imunitetin deputetit vetëm nëse ai shpallet fajtor. Një përkufizim i tillë kushtetues u ka pamundësuar prokurorëve të EULEX-it që përmes organeve të drejtësisë të procedojnë çështjen tutje në ekzekutim dhe arrestim.

Po ashtu, edhe rruga që e ka kërkuar EULEX-i që çështjen e arrestimit ta zgjidhë përmes rezolutës së Kuvendit me të cilën i kërkohen veprime qeverisë drejt Gjykatës Kushtetuese, duket të jetë pak e besueshme se do të realizohet.

Një votë e Kuvendit, me shumicë PDK-në, pro-rezolutës që de fakto do të nënkuptonte pro-arrestimeve të reja për krime lufte, edhe atë të njërit prej figurave kryesore të luftës së UÇK-së, mund të përcillet me pasoja të rënda politike për partinë dhe liderin e saj Hashim Thaçi. Po ashtu, në PDK janë të vetëdijshëm se pas Limajt, menjëherë pas mund të arrestohet edhe një deputet tjetër që ndërlidhet me rastin Bllaca.

Për këto sfida, janë të vetëdijshëm edhe ndërkombëtarët. Ata tani, sipas të njëjtit burim që është shumë afër gjithë këtij procesi, do të përdorin edhe metodat e presionit diplomatik mbi Kuvendin e Kosovës, sidomos mbi kryetarin Krasniqi, por edhe mbi qeverinë e Thaçit. Shtimi i presioneve ndaj Kuvendit, sipas këtij burimi, mund të çojë edhe te dorëheqja e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili kohët e fundit duket të mos jetë aspak në vijë me qëndrimet e disa diplomatëve perëndimorë.

Por, Krasniqi ka thënë se ai nuk po bën asgjë që nuk është në harmoni me ligjin dhe se në Kuvend ai do të jetë në vazhdimësi për zbatimin e ligjit.
Shtuar më 16/07/2011, ora 13:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori