Një “Nuremberg” i dytë, fillon gjyqi ndaj të dyshuarve për sulmet terroriste të vitit 2015 në Francë

Gjyqi ndaj 20 personave të lidhur me sulmet terroriste të nëntorit të vitit 2015 në Francë fillon të mërkurën në Paris. Gjashtë të akuzuar do të gjykohen në mungesë. Ka patur njoftime se pesë nga gjashtë prej tyre kanë vdekur në Irak ose Siri.

Nëntë terroristë të grupit të Shtetit Islamik, kryesisht nga Franca dhe Belgjika, sulmuan stadiumin kombëtar, lokalet, restorantet dhe Teatrin Bataclan, duke vrarë gjithsej 130 njerëz.

Nëntëdhjetë vetë u vranë në sallën e koncerteve në Teatrin Bataclan. Rreth 490 persona të tjerë u plagosën. Një pjesëmarrës në koncertin që po mbahej në Teatrin Bataclan,i cili i mbijetoi sulmit terrorist, thotë se është e rëndësishme që të kthehet normaliteti dhe jeta të vazhdojë me një qasje pozitive.

“Unë mendoj se ne e kemi për detyrë të mbajmë një qëndrim pozitiv dhe të vazhdojmë të ecim përpara për nder të atyre që nuk patën fat dhe vdiqën. Kjo është trashëgimia që ata na lanë. Ju duhet të na mbështesni në këtë aspekt sepse ne nuk duam që terroristët të fitojnë. Pra, ne duhet të vazhdojmë të shkojmë në koncerte, restorante dhe të vazhdojmë mënyrën tonë të jetesës”, thotë Stephane Toutlouyan, i cili ishte peng gjatë sulmit në Teatrin Bataclan.

Një anëtar i dhjetë i celulës terroriste dhe i vetmi ende gjallë, Salah Abdeslam, u arrestua në Bruksel katër muaj pas sulmeve të 13 nëntorit 2015. Ai akuzohet se ka ndihmuar të tjerët. Në hapje të gjyqit, ai e përshkruajti veten si një ushtar të Shtetit Islamik.

Zyrtarët francezë vizituan më herët të hënën sallën e gjyqit të ndërtuar posaçërisht në Paris, ku do të zhvillohen seancat që pritet të zgjasin disa muaj. Ajo është një nga sallat më të mëdha të gjyqit në historinë moderne të Francës./VOA