Ukrainë-Rusi, lufta mund të shmanget, por kriza mes dy vendeve do vijojë

BBC 

Jens Stoltenberg e përshkroi situatën në Ukrainë si krizën më serioze të sigurisë në Europë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Madje e bëri të qartë se kërcënimi nuk është zhdukur. Edhe nëse Presidenti Putin nuk jep urdhrin për të sulmuar, ka ende shenja se kjo krizë do të ketë pasoja.

Stoltenberg tha se vendosja ushtarake e Rusisë nxori në hap se Moska ishte e përgatitur për të kundërshtuar sigurinë europiane duke përdorur forcën. Ky “normalitet i ri” mund të nënkuptojë gjithashtu që NATO të rrisë praninë e forcave të saj ushtarake.

NATO po mbikqyr operacionet ushtarake në Rumani dhe në Detin e Zi. Megjithatë, asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë ende dhe NATO këmbëngul se do të dërgojë trupa të tjerë për të penguar një kërcënim të mëtejshëm të Rusisë.

NATO i ka bërë thirrje Rusisë që të dialogojë për të ulur tensionet. Por nëse diplomacia nuk funksionon, ekziston rreziku i luftës.

Skepticizmi mbi tërheqjen e pretenduar të Rusisë bëri jehonë edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Duke folur për The Telegraph të enjten, Sekretarja e Jashtme Liz Truss , e cila pritet të udhëtojë së shpejti në Ukrainë paralajmëroi se Perëndimi duhet të tregohet vigjilent, raporton abcnews.al

Kryeministri Boris Johnson në një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së tha se nuk ka prova të tërheqjes së trupave rusë. Ndërsa shefi i inteligjencës së mbrojtjes gjeneral Jim Hockenhull tha se, përkundrazi, Rusia po vazhdonte të vendoste forca ushtarake.

“Kjo përfshin automjetet e blinduar, helikopterët dhe ndërtimin e një spitali në kufijve të Ukrainës,” tha ai. “Rusia ka forcat e nevojshme ushtarake për të pushtuar Ukrainën.”

Të mërkurën, Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi se zyrtarët rusë po përhapnin dezinformata që synonin të ndikonin në opinionin publik. Zëdhënësi Ned Price shprehu shqetësimin për pretendimin e pabazë të Putinit se po ndodhte një “gjenocid” në Ukrainën lindore, ku separatistët e mbështetur nga Rusia dhe forcat ukrainase kanë qenë në konflikt që nga viti 2014.

Gjithashtu kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kritikoi presidentin rus për përdorimin e termit gjenocid pa pasur asnjë provë, ndërsa SHBA-ja e quajti pretendimin një “gënjeshtër”.

Të enjten, mediat ruse raportuan se forcat ukrainase kishin shkelur një marrëveshje armëpushimi duke qëlluar ndaj forcave rebele në rrethin e Luhansk. Nuk ka pasur asnjë provë të pretendimit dhe Ukraina ka mohuar se ka sulmuar zonën në vend të kësaj duke pretenduar se forcat rebele kishin hapur zjarr ndaj tyre.

Rusia dhe Ukraina kanë lidhje të thella kulturore dhe historike, dhe të dyja kanë qënë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik. Presidenti rus Vladimir Putin kërkon garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, pasi ai e cilëson anëtarësimin e Ukrainës në NATO një kërcënim.

Në fillim të kësaj jave, Putin tha se Rusia nuk dëshiron luftë, por kërkoi që çështja e anëtarësimit në NATO të diskutohet tani edhe pse Ukraina është shumë larg anëtarësimit në aleancë.


Shtuar 17.02.2022 14:04