“Jemi gati edhe për luftë me Rusinë”, trondit zyrtari amerikan

“Foreign Policy”

Në fjalimin e tij të parë të rëndësishëm mbi politikën e jashtme si president i SHBA-së, Joe Biden i deklaroi botës se Amerika ishte kthyer në skenën globale. Gati kudo pati psherëtima lehtësimi, por edhe shpresë se stili përçarës i udhëheqjes së ish-presidentit Donald Trump ishte tashmë një relike e së shkuarës.

Përgjatë në 1 vit në detyrë, Biden ka ndjekur një axhendë ambicioze për të riparuar aleancat e SHBA-së dhe për të krijuar aleanca të reja, për të frenuar korrupsionin, për të ndalur hapat prapa të demokracisë në shumë vende përfshirë Amerikën, dhe për të adresuar problemin e ndryshimeve klimatike. Ai i ka bërë këto duke menaxhuar njëkohësisht pasojat negative të pandemisë së Covid-19, kërcënimet ruse ndaj Ukrainës, si dhe përshkallëzimin e tensioneve me Kinën.

Në kuadër të përvjetorit të parë të presidencës Biden, Amy Mackinnon e Foreign Policy bisedoi me një nga arkitektët qendrorë të politikës së tij të jashtme, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan mbi rolin e tregtisë në përballjen me Kinën dhe çfarë e përbën vërtet Doktrinën Biden.

Dua ta nis me krizën e krijuar nga grumbullimi i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Javën e kaluar, pamë një raund shumë intensiv të diplomacisë në Evropë. Por të paktën publikisht, Moska po tregon pak shenja të tërheqjes. Cili është këndvështrimi juaj? A i kanë ndryshuar bisedimet llogaritjet që bën Kremlini?

Çfarë kufijsh kërkoni për të shmangur luftën?

Unë mund të flas vetëm për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi gati për çdo skenar. Ne jemi gati nëse Rusia dëshiron të ecë përpara me diplomacinë, dhe po shtrojmë në tryezë disa ide dhe propozime për t’i shqyrtuar, dhe jemi të përgatitur të vazhdojmë diskutimet rreth tyre.

Por nëse Rusia dëshiron të shkojë në rrugën e pushtimit dhe përshkallëzimit, ne jemi gati edhe për këtë, me një kundërpërgjigje të fortë në koordinim me aleatët dhe partnerët tanë.

Ne jemi përgatitur për diplomaci të mëtejshme, edhe pse jemi të përgatitur t’i përgjigjemi agresionit rus.

Në këtë, ne do t’i japim vetes mundësinë më të mirë për të mbrojtur interesat tona dhe interesat e aleatëve dhe partnerëve tanë. Nga këndvështrimi im, ka ende hapësirë ​​për një përparim domethënës përmes diplomacisë në lidhje me çështjet jetike të sigurisë evropiane.

Por Moska do të duhet ta bëjë të qartë se është e pritur më shumë tek diplomacia.

Grumbullimi i trupave ruse ka nxjerrë në pah tensionin e gjatë në lidhje me zgjerimin e NATO-s. Aleanca ka një politikë të dyerve të hapura, por realiteti është se askush nuk pret që Ukraina apo Gjeorgjia të pranohen së shpejti. Deri në çfarë mase ka arritur Rusia që të ri-dimensionojë diskutimet mbi sigurinë evropiane dhe zgjerimin e NATO-s?

Mendoj se pika kyçe këtu është se nga këndvështrimi i Rusisë perspektiva e pushtimit të Ukrainës, nuk ka të bëjë vërtet me NATO-n apo me diçka që ka thënë Jim Baker apo Mikhail Gorbachev. Bëhet fjalë për pyetje shumë më themelore. A ka të drejtë Ukraina të ekzistojë si një shtet sovran dhe i pavarur?

Karta e OKB-së thotë po. E drejta ndërkombëtare thotë po. Ne të gjithë si komunitet ndërkombëtar,duhet ta themi këtë njëzëri. A ka të drejtë Ukraina të jetë një demokraci? Sërish, karta e OKB-së por edhe e drejta ndërkombëtare thotë po. Dhe ne të gjithë duhet ta themi këtë njëzëri.

Tani lidhur me çështjen e zgjerimit të NATO-s dhe sigurisë evropiane, 30 aleatët folën me një zë në Bruksel javën e kaluar mbi këto çështje. Nuk ka asnjë kundërshtim mbi parimin. Ajo që patë në takimin në Bruksel ishte uniteti i fortë në të gjithë aleancën. Dhe unë mendoj se ky unitet do të ruhet edhe në ditët dhe javët në vijim.

Në muajt e parë të administratës Biden, fraza që dëgjonim më shpesh ishte dëshira për të krijuar një “marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Moskën. Dhe disa analistë mendojnë se administrata zbuti sanksionet e vendosura për helmimin e disidentit rus Alexei Navalny apo ndaj “Nord Stream 2”. Duke parë se çfarë po ndodh, a ishte kjo qasja e duhur?

Ka një aspekt qesharak në analizën e gjetjes së shkakut në lidhje me veprimet e Rusisë. Disa njerëz thonë se kjo po ndodh sepse SHBA, Perëndimi, dhe NATO u zgjeruan shumë në lindje, dhe ushtruan presion ndaj Rusisë. Pastaj janë disa analistë të tjerë që mendojnë se ne nuk u treguam sa duhet të ashpër me Moskën.

Presidenti Biden ia bëri që në fillim të qartë Putinit se do të hetoheshin sulmet kibernetike ndaj SHBA-së, helmimi i Navalny, por edhe ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Dhe ne vendosëm sanksione ekomike ndaj Rusisë dhe zyrtarëve rusë në përputhje me përgjegjësitë që zbuluam.

Ish-komandanti i SHBA-së në Indo-Paqësor, admirali në pension Philip Davidson, ka thënëse një pushtim kinez i Tajvanit mund të ndodhë brenda 6 viteve të ardhshme. A jeni dakord me këtë vlerësim? A duhet apo a do t`i ofrojnë Shtetet e Bashkuara mbështetje ushtarake Tajvanit në rastin e një sulmi nga Kina?

Ne synojmë të garantojmë që kjo gjë të mos ndodhë kurrë. Kjo është ajo që ne synojmë të bëjmë përmes një kombinimi të parandalimit dhe diplomacisë, përmes mbështetjes së traditës dypartiake të politikës së SHBA-së ndaj Tajvanit, politikës së “Një Kine”, Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, 3 komunikatave të përbashkëta, 6 garancive.

Një element qendror i konkurrencës me Kinën është angazhimi tregtar dhe ekonomik. Ju keni paraqitur atë që e keni përshkruar si një “politikë e jashtme për shtresën e mesme” për të mbrojtur vendet e punës dhe bizneset këtu në Amerikë. A nuk janë këto ide në konflikt me njëra-tjetrën?

Nuk besoj se janë në konflikt për 3 arsye. Së pari, ideja e një politike të jashtme për shtresën e mesme ka të bëjë kryesisht me investimin në burimet humane në shtëpi, në fuqinë punëtore dhe infrastrukturën tonë, si dhe në inovacionin dhe konkurrencën tonë.

Kur e bëjmë këtë, ne jo vetëm që krijojmë një klasë të mesme më të fortë amerikane, por e vendosim veten në një pozicion për të konkurruar afatgjatë me Kinën. Dhe kjo është pikërisht ajo që ka bërë presidenti Biden gjatë vitit të tij të parë në detyrë. Së dyti, presidenti Biden e bëri të qartë gjatë fushatës presidenciale, se ai beson se tregtia me pjesën tjetër të botës është një gjë e mirë dhe e rëndësishme, dhe se ajo nuk është në kundërshtim me mbrojtjen e vendeve të punës në Amerikë.

Duke pasur parasysh investimet e duhura dhe me një fushë loje të drejtë dhe të barabartë, punëtorët amerikanë mund të konkurrojnë kudo. Se treti, Biden po ndjek një politikë ekonomike ndërkombëtare të fokusuar në gjëra që ndihmojnë në forcimin e udhëheqjes ekonomike amerikane, si taksa minimale globale, si iniciativa e infrastrukturës G-7, dhe “Build Back Better World”.

Cilat janë idetë apo ambiciet që mbështesin politikën e jashtme të kësaj administrate?

Unë do të thosha se janë dy ide shumë të thjeshta. Së pari, investimet e mëdha tek aleatët dhe partnerët tanë, në mënyrë që të adresojmë të gjitha sfidat aktuale, duke shfrytëzuar forcën e miqve, por edhe forcën tonë. Dhe së dyti, tek fakti që fuqia amerikane në botë është rrënjësisht e rrënjosur në fuqinë amerikane në vend, dhe lidhja midis politikës së jashtme dhe politikës së brendshme është një lidhje e ngushtë./abcnews.al


Shtuar 20.01.2022 13:41