“Pylli Orbital” bëhet mollë sherri për kriteret e “çuditshme” të tenderit 300 milionë lekë

Pylli Orbital është bërë shkak për mosmarrëveshje mes një operatori ekonomik dhe autoritetit kontraktor lidhur me një procedurë prokurimi të hapur pak kohë më parë që tashmë ka përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik.

Konkretisht një prej operatoreve të interesuar për procedurën “Blerje Peme dekorative per Pyllin Orbital dhe zona te ndryshme te Tiranës” me fond limit 300 milionë lekë është ankuar ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit në Tiranë.

Konflikti mbi këtë procedurë duket se nuk është i pari. Më herët sërish kompania ankimuese ka dërguar në KPP kërkesën që të rishikoheshin dokumentet e tenderit duke bërë modifikime pasi në to shfaqeshin problematika.

Komsioni në atë kohë pranoi pjesërisht kërkesën e kompanisë dhe kërkoi nga autoriteti kontraktor që të bëheshin modifikimet e nevojshme. Në një ankesë tjetër sërish autoriteti dhe operatori janë përfshirë në “mosmarrëveshje” për publikimin e shtojcës me kriteret e modofikuara si dhe shtyrjen e datës së hapjes së ofertave.

Sërish në datën 28 dhjetor 2022 KPP ka pranuar ankimimin e kompanisë dujke kërkuar që të kryheshin modifikime në dokumentet e tenderit sipas konstatimeve që ishin bërë nga ky Komision.

Mosmarrëveshjet mes palëve kanë vijuar për tenderin 300 milionë lekë teksa ai është pezulluar nga autoriteti kontraktor dhe operatorët që kanë kërkuar sqarime mbi kushtet e “çuditshme” në procedurë dhe nuk janë argumentuar në mënyrë teknike, nuk kanë marrë përgjigje.

Kundërshtimi i kushteve

Kompania ankimuese pretendon se është konstatuar që në një pjesë të mirë të rrugëve apo sipërfaqes ku do të vendosen pemët dhe bimët dekorative ka gropa të hapura specikisht për to.

“Nga verifikimi që ne kemi kryer në terren, në rrugët ku AK kërkon të mbjellë pemët dekorative aktualisht ka shumë gropa të hapura. Për këtë pretendim ne disponojmë edhe fakte (foto dhe video) në të gjitha rrugët që do kryhen punimet për mbjelljen e drurëve dekorativ. Në këto kushte kemi kërkuar sqarimin e këtij fakti me qëllim qartësimin e operatorëve ekonomikë që janë të interesuar për paraqitjen e një oferte objektive për këtë procedurë prokurimi” thuhet në ankimimin e publikuar në faqen e KPP.

Operatori pretendon se gjithë materialin që AK ka hartuar dhe publikuar por pa përmendur asnjë koordinatë, si dhe pa dhënë asnjë përgjigje apo arsye mbi faktin se pse ekzistojnë shumë gropa të hapura në madhësinë ekzakte që nevojitet për mbjelljen e drurëve dekorativë dhe pse këto gropa ndodhen pikërisht në rrugët që AK ka kërkuar mbjelljen drurëve dekorativë në këtë procedurë prokurimi “thuhet në shkresën e publikuar nga KPP.

Një tjetër element ku edhe KPP ka nënvizuar se nuk ka pasur shpjegim teknik ka qenë ai për numrin e të punësuarve që kërkohen për kompaninë. KPP gjatë gjykimit të këtij kriteri ka gjykuar se: kërkesa e autoritetit kontraktor për 139 punonjës është një kërkesë e ekzagjeruar, e cila tejkalon natyrën dhe përmasat e kontratës, pasi një numër i tillë punonjësish është tërësisht jo proporcional me objektin e prokurimit.

“Për autoritetin kontraktor e rëndësishme të provohet disponimi i punonjësve, por kjo duhet të përcaktohet në mënyrë të arsyeshme duke pasur parasysh elementë të tillë si natyra e kontratës, volumi i saj si dhe kohëzgjatja. Konkretisht, autoriteti kontraktor në asnjë moment nuk ka paraqitur një argument teknik dhe analizë të detajuar në lidhje me kërkesën për disponimin e një numri kaq të lartë punonjësish”, thuhet në shkresë.

Duket se të gjitha këto kanë bërë që sërish çështja të përfundojë në KPP duke kërkuar rishikim të dokumenteve të tenderit si dhe mbajtjen të pezulluar të procedurës deri në zgjidhjen e kësaj problematike.

Pylli Orbital është projekt i Bashkisë së Tiranës i nisur vite më parë dhe i cilësuar si strategjik. Ky projekt është argumentuar si një instrument për frenimin e konsumit të tokës, shpërhapjes urbane e identifikuar si kufizi dizik i zhvillimit dhe zgjerimit të sistemit urban në mjedisin natyror. Metobosco apo Pylli Orbital sipas dokumenteve zyrtarë do të lidhë 5 mjedise të ndryshme si Parku i Dajtit, Parku Rekreativ i Farkës, Pyjet futore dekorative, zonat bujqësore dhe parku i Lumit të Lanës./monitor

 


Shtuar 16.01.2023 10:31