Ç'ka "mori" Vuçiç nga SHBA-ja për Kosovën, dalin detajet
Një takim pas shumë viteve dhe nder i është bërë Serbisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), madje për presidentin serb Aleksandar Vucic, është shtruar një drekë nga ana e sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo.

Një darkë jo e lehtë për Vucicin ishte dje në SHBA, pasi aty është folur për çështjen e Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Pompeo i ka premtuar Vucicit dy gjëra, heqjen e taksës nga ana e Kosovës dhe respektimi e dëgjueshmëria e qëndrimit të Serbisë karshi çështjes së Kosovës.

Këtë madje edhe vetë presidenti serb Vucic e ka pranuar se ka marrë përkrahje dhe premtim nga sekretari Pompeo gjatë takimit, gjithashtu, ai ka thënë se ka kërkuar nga SHBA-ja që të përpiqet dhe të bëjë më shumë presion mbi Kosovën për heqjen e taksës.

Çfarë ka kërkuar Pompeo nga Serbia?

Sekretari i shtetit amerikan ka kërkuar nga Vucic që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Po ashtu, ai i ka bërë me dije Vucicit se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian (BE) pa arritjen e një marrëveshjeje me Kosovë, pasi një arritje e një marrëveshje mes dy vendeve stabilizon rajonin dhe prosperitetin e shtetit të Serbisë.

“Dreka produktive me presidentin serb, Aleksandar Vucic, mbi Dialogun Kosovë-Serbi dhe pranimin e Serbisë në BE. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë stabilitetin dhe prosperitetin për Serbinë, Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin transatlantik”, ka shkruar Pompeo në Twitter, transmeton Gazeta Metro. Kujtojmë se për herë të parë shteti i Kosovës po anashkalohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke treguar edhe njëherë se raportet mes dy vendeve tashmë janë dëmtuar.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, ka dhënë sinjale tashmë të qarta në drejtim të Kosovës dhe politikanëve kosovarë, këtë e vërteton fakti se pas shumë viteve në një takim pune është ftuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic në New York, për t’i treguar se Kosova është pengesa për bllokimin e dialogut.

Jo vetëm Pompeo, por edhe dora e djathtë e presidentit Donald Trump, siç njihet në Amerikë, John Bolton, kishte anuluar vizitën e tij në Kosovë me 10 gusht të këtij viti, kështu duke treguar se situata me Kosovën ka dalë nga binarët.

Tashmë SHBA-ja po tregon me vendimet e saj se problemi për bllokimin e dialogut dhe mosarritja e një marrëveshjeje mes dy vendeve qëndron në Prishtinë e jo në Beograd.

Ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Evropë dhe Azi, Philip Reeker, pati zbuluar në Shkup se Kosova ka dëmtuar marrëdhëniet e saj me SHBA-në duke mos dëgjuar kërkesat e saj në lidhje me dialogun me Serbinë.

Kujtojmë se asnjë nga liderët e Kosovës nuk ka pasur ndonjë takim zyrtar me zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, Mike Pompeo dhe John Bolton që nga 27 nëntori i 2018-s, atë kohë presidenti i vendit Hashim Thaçi, ishte takuar me Pompeo-n dhe Bolton-in në Shtëpinë e Bardhë, me ç’rast edhe i kishin dhënë mesazhe të qarta Kosovës.
Shtuar më 21/08/2019, ora 10:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori