Çfarë lejohet dhe nuk lejohet pas liberalizimit
Qytetarët e Kosovës, janë në ethe të pritjes së marrjes së rekomandimit për datën se kur ata do të kenë mundësi të lëvizin të lirë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Por cilat do të jenë rregullat mbi lëvizjen e lirë në vendete zonës Schengen, pasi kosovarëve t’u liberalizohen vizat, vendim që ka mundësi të hyjë në fuqi në fund të muajit qershor.

Të pyetur nga lajmi.net, zyrtarë nga Ministria e Integrimeve Evropiane, kanë sqaruar se megjithatë edhe lëvizja e lirë ka rregullat që secili qytetar duhet t’i përmbahet. Me liberalizim të vizave, mund të udhëtohet pa vizë në shtetet e zonës Schengen, por nuk mund të qëndrohet më gjatë se 90 ditë (çdo gjashtë muaj).

Me liberalizim, udhëtimin pa vizë mund ta bëjë çdo qytetar shtetas i Republikës së Kosovës, që posedon pasaportë biometrike. Por pas liberalizimit të vizave edhe qytetarët të cilët nuk kanë pasaportë biometrike, por kanë vizë valide Schengen, mund ta shfrytëzojnë atë për aq kohë sa kanë validitet.

Kjo do të thotë se pas liberalizimit, të gjithë ata që kanë vizë Schengen valide, nuk ka nevojë të vrapojnë për të marrë pasaportë biometrike, raporton lajmi.net.

Por pas liberalizimit, për çdo vizitë që behët në zonën Schengen, qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit, duhet të kenë me vete dokumente që dëshmojnë gjendjen e mjaftueshme financiare (dëshmi se kanë mjete të mjaftueshme për të mbuluar qëndrimin në shtetin përkatës), vendin ku do të qëndroni, arsyet e vizitës dhe sigurim shëndetësor.

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk mundëson punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen. Për të studiuar në një nga shtetet e Schengenit, atëherë duhet leje e qëndrimit në shtetit përkatës që mundëson qëndrimin më të gjatë se 90 ditë, brenda gjashtë muajve.

Qytetarët kosovarë do te jenë në mbikëqyrje të rreptë nga autoritetet kufitare dhe të emigracionit. Policia kufitare e shtetit të zonës Schengen, ka të drejtë t’i mohojë hyrjen çdo qytetari në rast të dyshimit se mund ta keqpërdorë liberalizimin e vizave.

Në rast të shkeljes eventuale dhe abuzimit me liberalizim, pasojat për individ përfshijnë: Shqiptim të gjobës me të holla, shënim zyrtar në dosje, ndalim të hyrjes në zonën Schengen në të ardhmen për pesë vjet. /albeu.com/
Shtuar më 02/05/2016, ora 11:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori