Çfarë e detyroi fluturimin nga Shtutgarti në Prishtinë të ulet në Zagreb
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka informuar lidhur me fluturimin e nisur nga Shtutgarti për në Prishtinë, i cili është detyruar të bëjë një devijim për në aeroportin e Zagrebit për shkak të problemeve teknike gjatë fluturimit, dhe ka aterruar pa problem në këtë aeroport rreth orës 18.00.

AACK thotë se fluturimi është realizuar nga aeroplani i kompanisë ajrore të Bashkimit Evropian, ALK Airlines, ndërsa, udhëtarët janë sjellë në ANP “Adem Jashari ” me një aeroplan tjetër të kësaj kompanie ajrore në ora 02:40 minuta pas mesnate.

“Transporti ajror në Republikën e Kosovës rregullohet në bazë të marrëveshjes për themelimin e hapësirës së përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA), palë e së cilës është edhe Kosova që nga viti 2006, përmes së cilës kompanitë ajrore të cilat janë të regjistruara dhe licencuara në një shtet të Bashkimit Evropian apo shtete tjera anëtare të kësaj marrëveshjeje, e kanë të garantuar lirinë e trafikut ajror. Kjo nënkupton që certifikatat e operimit ajror, licencat e operimit dhe certifikatat e vlefshmërisë ajrore të kompanive ajrore të cilat lëshohen nga një shtet nënshkrues i kësaj marrëveshje, janë të vlefshme edhe për vendet tjera nënshkruese të marrëveshjes HPEA, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës. Përderisa një aeroplan posedon certifikatën e vlefshmërisë ajrore të lëshuar nga autoritetet kompetente të shteteve të marrëveshjes HPEA, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës nuk ka të drejtë të ndaloj fluturimin e tyre në Republikën e Kosovës, përveç nëse gjatë kontrollimit në platformë vërehen jo konformitete me standardet e sigurisë”, thuhet në njoftim.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës siguron qytetarët se është duke bërë inspektime të vazhdueshme të transportuesve të huaj ajror në ANP “Adem Jashari” për t’u siguruar që transporti ajror në vendin tonë të jetë sa më i sigurt dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të aviacionit civil.
Shtuar më 31/05/2019, ora 09:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori