Çeku: Vlerat e luftës do të kenë trajtim të veçantë
-Lufta çlirimtare në Kosovë është pjesa më e ndritur e historisë së kombit shqiptarë. Por, pavarësisht kësaj, vlerat e kësaj lufte akoma nuk e kanë trajtimin e duhur institucional, veçanërisht në komunën e Prishtinës.


Pas 3 nëntorit, kjo gjendje do të ndryshojë për të mirë dhe në mënyrë të dukshme. Kështu ka premtuar Agim Çeku, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, gjatë një serie takimesh që sot ka zhvilluar me organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në degët e tyre në Prishtinë, shkruan Koha Ditore.

Në këto takime me shoqatat e veteranëve të UÇK-së, invalidëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve, kandidati Çeku, duke u thënë se bashkëndjen hallet e tyre, ka premtuar se me të marrë drejtimin e komunës së Prishtinës, do të themelojë një departament, i cili do të ketë një linjë buxhetore të veçantë për të trajtuar të gjitha nevojat e këtyre kategorive. “Ne me projektin tonë për qeverisjen e komunës së Prishtinës, vlerat e luftës do t'i ngrisim në nivelin që u takon. Në komunë do të themelojmë një departament të veçantë për vlerat e luftës. Me këtë parashohim që t’iu ndihmojmë në lehtësimin e gjetjeve të vendeve të punës, organizimin e manifestimeve në datat e shënuara historike, mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve dhe shtatoreve. Me pak fjalë, do të ofrojmë mbështetje për të gjitha nevojat që iu karakterizojnë. Të gjitha këto do t'i bëjmë në bashkëpunim me nivelin qendror. Kroacia ka një trajtim jashtëzakonisht të mirë të vlerave të luftës dhe një model të tillë do të mundohemi ta aplikojmë edhe tek ne”, ka thënë Çeku.
Shtuar më 29/10/2013, ora 18:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori