Çaushi: Pjesëmarrja e Haradinajt te presidentja, flirtim me Mustafën e Thaçin
Driton Caushi
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, për dallim nga bashkëpartiaku i tij Frashër Krasniqi, nuk është treguar i matur në deklarimin e tij ndaj vendimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Atifete Jahjaga.

Përmes një postimi në Facebook, Çaushi shkruan se vendimi për pjesëmarrje në takimin e thirrur nga Jahjaga me Mustafën e Thaçin, është flirtim me ta.

"Ky takim me Thaçin e Mustafën është shkelje e rezistencës gjashtëmujore të opozitës së bashkuar. Prandaj, ky takim është i gabueshëm për opozitën dhe i dëmshëm për Kosovën. Takimi me Thaçin e Mustafën është flirtim me ta, për t'iu ndihmuar ambicieve të tyre (Thaçi që do të bëhet me çdo kusht President e Mustafa të mbetet me çdo kusht kryeministër). Takimet me ta janë afrim e bashkim me qeverisjen e tyre. Janë në kundërshtim të plotë me tërë atë që është ndërtuar deri tash me protestën e qytetarëve, aktivistëve e deputetëve, protestë kjo e cila e ka dëshmuar qartë se interesat e regjimit në njërën anë dhe ato të Republikës e të qytetarëve në anën tjetër, janë në kundërshtim me njëra tjetrën", ka thënë Çaushi.

"Meqë nuk kemi shkuar te Presidentja para tri javëve kur na thirri vetëm neve tri subjekteve opozitare, pse do të shkonim tek ajo tash kur është bashkë me Mustafën e Thaçin?! Ne duhet të punojmë me qytetarët në mbrojtje të Republikës. Protesta gjithëpopullore e 17 shkurtit do të jetë edhe më e fuqishme", është shprehur më tej ai.

Sipas nënkryetarit Çaushi, takimi te Presidentja është takim kundër protestës gjithëpopullore të 17 shkurtit 2016 dhe se sipas tij, zgjidhja është në shesh me qytetarët, e jo në zyra të mbyllura “me krerët e qeverisë kuislinge”.

Çaushi kritikoi edhe mos-reagimin e presidentes Jahjaga kundër, siç ka thënë ai, “arrestimit të gati gjysmës së deputetëve të opozitës dhe kundër ndërhyrjes brutale të Policisë Speciale të Kosovës në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje më 28 Nëntor 2015” për dallim nga Amnesty International.

"Asnjë fjalë asnjëherë nuk e tha për peticionin e 205 mijë qytetarëve. Për më tepër edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku vetë e ka nxitur procesin, nuk e përfilli kurrë. Ajo vazhdimisht ia mban anën regjimit të Thaçit e Mustafës prandaj ftesa e saj, në fakt, është ftesë e qeverisë", tha ndër të tjera Çaushi. /albeu.com/
Shtuar më 07/02/2016, ora 16:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori