Lufta në Ukrainë, BBC identifikon 22 mijë ushtarë të vrarë

Shërbimi rus i BBC-së në bashkëpunim me uebsajtin e gazetarisë investigative Mediazona dhe një grup vullnetarësh kanë konfirmuar nga burime të hapura emrat e 22,055 ushtarëve rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, nga të cilët 2,057 ishin rekrut.

Në dy javët e fundit u bë e ditur se 2,367 rusë u vranë. Nga të dhënat e fundit publikuar më 7 prill e deri më sot, luftëtarët e organizatës mercenare Wagner pësuan humbjet më të mëdha në qytetin e Bakhmut. Mes tyre ka mercenarë të rregullt dhe të burgosur, të cilët varrosen në fshehtësi.

Gazetarët e BBC dhe Mediazona raportojnë se viktimat mes pjesës tjetër të ushtrisë që lufton në Ukrainë janë “pothuajse të padukshme”. Në të njëjtën kohë, ata theksojnë se ky numër i viktimave totale nuk përputhet me realitetin dhe mund të jetë shumë më i lartë, pasi regjistrojnë vetëm emrat e të vdekurve që bëhen publikë.

Raporti i medias, i cili përfshin vetëm emra të identifikuar, përditësohet çdo dy javë.


Shtuar 5.05.2023 19:11