Mertens këshillohet me Lukakun, kërkon banesë në Milano

Sulmuesi i Napolit, Dries Mertens, raportohet se i ka kërkuar këshilla Romelu Lukakut për gjetjen e një banese të re në Milano.

Sulmuesi do të jetë një lojtar i lirë kur kontrata e tij skadon në fund të këtij sezoni dhe ka gjithnjë e më shumë gjasa që të mos e zgjat me klubin nga “San Paolo”.

Chelsea e ka bërë të qartë interesin e tyre për belgun, por burime të shumta shkruajnë se Mertens ka vendosur të bashkohet me Interin, nëse ai largohet nga Napoli.

Sipas Tuttosport, ai e ka telefonuar bashkatdhetarin e tij Lukakun për të kërkuar këshilla për gjetjen e një banese të re në qytetin e Milanos.

Kjo pasi ata nuk do të jenë thjesht shokë të skuadrës, por edhe fqinjë.

Lukaku aktualisht jeton në të njëjtën rrugë si sulmuesi tjetër i Interit, Lautaro Martinez, pasi shpesh kanë publikuar video në Instagram, ku shihen afër njëri tjetrit në këtë kohë pandemie.


Shtuar 14.05.2020 16:49