Burgaj në Prishtinë për incidentin e Vokshit
Pëlqej
Hysni Burgaj
Pas një takimi në Kukës mes krerëve të lartë të dy dikastereve të brendshme, kryepolici i vendit Hysni Burgaj ditën e djeshme ka shkuar për një tjetër takim pune në Prishtinë. Aty thuhet se u takua me homologun e tij Reshat Maliqi ndërsa mësohet se është diskutuar mbi masat konkrete që janë ndërmarrë dhe që do të ndërmerren për një sërë çështjesh.

Zyrtarisht nga faqja zyrtare e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se takimi është fokusuar mbi masat konkrete dypalëshe në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti. Gjithashtu referuar këtij njoftimi saktësohet se kryepolici Burgaj është njohur më nga afër me përparësitë e policisë së Kosovës ndërkohë që sot do të marrë pjesë edhe në një trajnim policor në Vushtri.

Ndonëse vizita e tij pason edhe një takim të ministrit të brendshëm Lulzim Basha në Kukës me homologun e tij Bajram Rexhepi, për asnjërin prej tyre nuk ka të dhëna zyrtare.

Nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit mësohet se detajet e vizitës së Burgajt do të mësohen pas kthimit të tij në Tiranë, ndërsa nuk bëhet e ditur se për ç‘ka është diskutuar në detaje.

Nga të dhënat që vijnë nga Kosova mësohet se incidenti me deputeten Albana Vokshi që ndodhi në kufi pak ditë më parë me një efektiv të kësaj policie ka qenë në qendër të bisedimeve edhe pse në lidhje me këtë pikë refuzohet të flitet nga burimet si të policisë ashtu edhe të ministrisë.
Shtuar më 19/11/2010, ora 08:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori