Bukoshi pret ftesën nga Mustafa
Pëlqej
Bujar Bukoshi
Në një intervistë për Radio Kosovën, Bujar Bukoshi nuk ka përjashtuar mundësinë të kthehet në LDK, pasi siç shprehet ai, tashmë është larguar pengesa me emrin Fatmir Sejdiu.

I pyetur se si e vlerësonte zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, Bukoshi ka thënë se e konsideron si “rezultat të punës, të cilën ne e patëm filluar me përpjekjet për të nisur disa procese reformuese në LDK dhe për të hequr bllokimin që zoti Fatmir Sejdiu bëri në këtë parti për sa kohë që drejtoi ai. Personalisht ndjehem i kënaqur me zgjedhjen e zotit Mustafa, sepse ky rezultat është dhe pjesë e kontributit tim personal, pasi ia arritëm që tani të kemi një situatë krejtësisht tjetër.

Duke filluar nga sot e tutje janë krijuar shanse më të mira që Lidhja Demokratike e Kosovës të konsolidohet, sado që ka shumë punë dhe sfidat vazhdojnë. Procesi i reformimit të LDK-së nuk mbaron me largimin e zotit Sejdiu, sepse aty ka punë të madhe për përtëritjen dhe ndërrimin e strukturave të ndryshkura në LDK. Mendoj se po të mos ishte ky proces paraprak, do të ishte vështirë të fillonin këto lëvizje të tilla pozitive që u bënë.

Bukoshi ripërsëriti se ai me djalin e Rugovës janë po ashtu të hapur dhe të gatshëm që për arsye të këtij realiteti të ri dhe këtij konstolacioni ndryshimesh që ndodhën, të bisedojnë për të gjetur një emërues të përbashkët - i mirëfilltë, vetëm e vetëm për të mirën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për forcimin e saj, reformimin e saj dhe modernizimin e saj.

“Në atë moment që zoti Isa Mustafa do të na ftojë, ne do të ulemi dhe do të bisedojmë me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të madhe të mundshme, gjithmonë duke pasur në radhë të parë interesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe interesin e vendit tonë – Kosovës”, është shprehur Bukoshi.
I pyetur sërish nëse është i gatshëm të tërhiq “Listën qytetare Ibrahim Rugova” Bujar Bukoshi pohoi se “Jemi të hapur për këtë, nuk jemi ndonjë sekt religjioze fanatik. Ju më në fund e dini edhe arsyen dhe historinë se pse u themelua dhe u formua kjo listë qytetare, pra ju kujtoj: pikërisht për shkak se zoti Fatmir Sejdiu i pati bllokuar të gjitha mundësitë dhe të gjitha rrugët e reformimit në parti, duke mbyllur partinë hermetikisht. Tani ky faktor çrregullues, është eliminuar. Ajo që mbetet janë sfidat si të menaxhohet kjo LDK në të ardhmen”.
Shtuar më 08/11/2010, ora 10:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori