Bukoshi: LDK-ja duhet të reformohet
Bujar Bukoshi
Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të hapet, sepse ishte e mbyllur gati hermetikisht, ka pohuar Bujar Bukoshi, njëri ndër kandidatët për kryetar të kësaj partie.

Në një intervistë për Evropën e Lirë, Bukoshi ka thënë se predispozitat që LDK-ja të ringrihet, të ringjallet dhe të modernizohet, natyrisht përmes reformave dhe të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme janë prezentë por çështja sipas tij është se si të arrihet kjo.

Mbështetjen nga djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, që është aktivizuar në politikë, Bukoshi e ka quajtur mbështetje shumë domethënëse.

Duke u përgjigjur rreth kandidaturave dhe ndasive në LDK, kandidati për kryetar të kësaj partie tha “Unë ju siguroj dhe pandërprerë do të siguroj, deri në fund të kësaj gare se nuk do të ketë më ndarje, sepse formula është shumë e thjeshtë, është një proces zgjedhor në LDK, e cila e ka një traditë, i ka ato vlerat e mëhershme, që ka qenë tolerante, ka pasur një dialog, leje për t’u shprehur mendime të ndryshme”.

Duke folur për reformimin e LDK-së, ai tha se pa reformim absolut nuk mund të imagjinohet. Ai u shpreh se me këtë LDK, kjo parti do të shkojë në greminë dhe se nuk mund të ketë ditë të mira nëse vazhdohet me këtë.

Kandidati për kryetar të LDK-së, Bujar Bukoshi duke folur për bisedimet teknike me Serbinë tha se kjo çështje, edhe ashtu komplekse, tani në mënyrë aditive u ndikua edhe nga kjo gjendje, që u krijua pa dashjen e Kosovës si vend. Kjo është një çështje serioze, mjaft sensitive, me histori të gjatë dhe të mërzitshme, me një status-quo të padurueshme.

“Unë do të thosha që në rend të parë, kur flitet për këto bisedime apo negociata, si të doni t’i quajmë, (duhet të kemi parasysh) që është një proces i rëndë, ku ne jemi duke u ballafaquar me qëndrimin obstruktiv të mëtutjeshëm të politikës serbe dhe po ashtu me një koncept jo fort të qartë nga ana e Brukselit që kërkon këto bisedime. Prandaj, ilaçi i domosdoshëm është që ne të kemi prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Pa këtë, gjithçka është e dënuar të dështojë”, u shpreh Bukoshi. (albeu.com)
Shtuar më 12/10/2010, ora 12:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori