Bujqit paralajmërojnë protestë nëse nuk shpërndahen subvencionet
Pëlqej
Kryesia e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës paralajmëron protestë për muajin shtator. Përmes një deklarate për mediat, federata sqaron se ky vendim është marrë në mbledhjen e kësaj federate më 27.08.2014, ku është rënë dakord se nëse Ministria e Bujqësisë nuk ua paguan borxhet për subvencione dhe grante bujqve të Kosovës deri në fund të muajit shtator do të organizohet një protestë.

"Ne kërkojmë pagesën për vitin 2013 për kulturën e grurit dhe kulturat pranverore (misri, patatet, luledielli, speca, domate, shalqiri etj.) për të cilat Kryeministri pati premtuar se do të paguajë 300 euro për hektar. Poashtu, kërkojmë subvencionet edhe për gjedhet e dhitë.
Ndërkaq, vreshtarëve të Rahovecit, Suharekës, Gjakovës dhe Prizrenit Qeveria ua kishte dhënë nga 500 euro para zgjedhjeve duke u premtuar nga 500 të tjera pas përfundimit të procesit zgjedhor, dhe të cilat nuk u kthyen kurrë për t’i shpërndarë sipas premtimit.
Nga 35.000 aplikues, nga sa ka në total, MBPZHR-së iu ka borxh aplikuesve të subvencioneve për grurin të cilëve nuk u janë ndarë asnjë cent, përderisa gruri tashmë është korrur. MBPZHR iu kanë ndarë subvencionet vetëm vreshtarëve dhe atë në prag të zgjedhjeve. Ne si federatë duam ta pyesim ministrin Stavileci ku u tretën 20 milionë euro për të cilat federata nuk ka asnjë informacion. FSBK-ja dhe bujqit janë shumë të irituar me deklaratën mashtruese dhe manipuluese të zyrtarëve të lartë të MBPZHR-së se mjetet për subvencione dhe grante mund të shpërndahen brenda një viti kalendarik. Kjo është një deklaratë absurde, sepse ato duhet të shpërndahen brenda një vegjetacioni të një kulture, kur edhe është koha e tyre dhe jo në një kohë kur nuk kanë kurrfarë efekti. Nëse ato mjete nuk jepen për rritjen e rendimentit të një kulture, atëherë do të dëmtohen edhe bujqit edhe buxheti i Kosovës. Për këtë, ne kërkojmë që ato mjete të shpërndahen sa më shpejt dhe jo më larg se dy javë." thuhet ne deklarate.


Shtuar më 30/08/2014, ora 14:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori